Pesha e qëndrimit të shtetit gjerman rreth liberalizimit

0
22
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Burime zyrtare brenda Qeverisë së Gjermanisë i kanë thënë gazetës “Zëri” se Republika Federale e Gjermanisë i vlerëson përpjekjet që Kosova ka bërë për t’i përmbushur kriteret për heqjen e vizave. Ndaj, sipas tyre, propozimi i Komisionit Evropian (KE) për heqjen e vizave për Kosovën tashmë duhet të miratohet edhe në Këshillin e Ministrave, i cili është organi kryesor vendimmarrës i BE-së. Gazeta “Zëri” deri më tani ka botuar qëndrimin zyrtar të Holandës, të Sllovakisë, të Bullgarisë, të Lituanisë dhe të Finlandës për vizat.

Teksa është deklaruar rreth faktit që Gjermania e mbështet heqjen e vizave, ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha ka thënë se një gjë e tillë paraqet një lajm tejet me rëndësi për Kosovën.

“Ky lajm gjithsesi është i mirë dhe i rëndësishëm për qytetarët tanë, sepse Gjermania ishte, është dhe mbetet fuqia qendrore e BE-së, së bashku me Francën. Ne kemi besim të madh te vendet mike si Gjermania. Ne kemi marrë përkrahje të plota për proceset dhe deklarime për liberalizimin, por konsensusi është ai që përcakton edhe rendin e ditës dhe vënien në rend dite të liberalizimit në Këshillin e Ministrave”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Mbështetja e Gjermanisë në drejtim të liberalizimit sipas Hoxhës për shumë shtete ka peshë dhe rëndësi vendimtare. “Përkrahja e Gjermanisë është përkrahja e mekanizmave vendimtarë për liberalizim. Presim që kjo të reflektojë te vendet më të vogla, por me ndikim në votim vendet hezituese, si dhe vendet që nuk e njohin pavarësinë tonë. Pra, energjia pozitive e tërë procesit fshihet pikërisht te kjo votë e deklaruar e Gjermanisë për liberalizim”, është shprehur e para e MIE-së.

Ndërkaq Besnik Vasolli, njohës i çështjeve të integrimit, ka thënë se Gjermania, si një ndër shtetet më kontribuuese të Bashkimit Evropian, i ka dhënë përkrahje të vazhdueshme Kosovës. “Janë shumë kritere, si nga riintegrimi i personave të riatdhesuar, te siguria e dokumenteve, menaxhimi i integruar i kufirit e lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku Gjermania me projekte konkrete ose me asistencë tjetër ka kontribuar në zbatimin e suksesshëm të tyre”, ka deklaruar ai, shkruan gazeta “Zëri”.

Mbështetja e Gjermanisë sipas Vasollit nuk ka munguar as rreth liberalizimit të vizave. “Edhe në aspektin politik kemi deputetët gjermanë në Parlamentin Evropian që votuan pro liberalizimit të vizave. Së fundmi kemi edhe përkrahjen e ministrit të Brendshëm, i cili ka përkrahur këtë proces për Kosovën. Përkrahja gjermane në përgjithësi është më e qetë dhe nuk krijon shumë zhurmë”, ka potencuar ai.

Megjithëkëtë, Vasolli ka thënë se nuk mjafton vetëm përkrahja e Gjermanisë për ta përmbyllur procesin e vizave. “Neve na duhen francezët, italianët, holandezët, skandinavët e kështu me radhë. Disa nga këto shtete tashmë janë pro, ndërsa vendet si Franca dhe Holanda nuk janë deklaruar ende”, ka potencuar ai.

 

Zjarr Tv Ad