Në një deklaratë për media, Vasili tha se Shqipëria është mbërthyer në darën e përmbytjeve dhe të një situate moti të jashtëzakonshme, ndërsa qeveria sipas tij, ka braktisur qytetarët.
“Të nderuar qytetarë dhe qytetare!
Shqipëria është mbërthyer në darën e përmbytjeve dhe të një situate moti të jashtëzakonshme, e cila ka krijuar probleme shumë të mëdha për jetën e qytetarëve, për pronën e tyre dhe për veprimtaritë ekonomike që lidhen me to, duke krijuar një problem kritik për të gjithë qytetarët.
Ju jeni mësuar të nderuar qytetarë të shikoni pafundësisht në media, në mënyrë të përditshme, qeverinë e cila ndan çelësat e ndonjë shtëpie të riparuar nga tërmeti apo që mban shown e radhës, prezanton aeroporte edhe rrugë imagjinare. Ju ka mbirë në sy kjo qeveri. Sot Shqipëria është në hall, në hall të madh. Sot ju duhen qeveritarë që të bëjnë detyrën e tyre, as më shumë dhe as më pak. Por do të keni mundësi dhe shikojeni sesi gjendet Shqipëria dhe fotot janë aktuale, tregojnë më së miri përmbytjen që nga veriu e deri në jug. Të gjithë pra e kanë shumë të qartë që kjo qeveri nuk ka asnjë dëshirë, nuk ka as më të voglin predispozicion ti mbështesë qytetarët në ditën e tyre të vështirësisë, në ditët e hallit, por ka vetëm një detyrë të gënjejë 24 orë në 24 e të rrijë në televizor kur ka ndërmend të bëjë shfaqjet e turpshme dhe estradat e radhës me projekte imagjinare që nuk realizohen kurrë, pasi Shqipëria reale, ajo e vërteta është kjo nën ujë dhe pa asnjë dorë të qeveritarëve, të cilët i paguan sa qimet e kokës, por që janë atje vetëm për të grabitur, vjedhur dhe rrënuar.
Faleminderit të gjithëve!” –tha ndër te tjera ai