Gjashtë zyrtarë të Ministrisë së Brendshme në Kosovë janë pezulluar nga detyra. Ata akuzohen se përdornin parkingun e Ministrisë për makinat që jepnin me qira. Për lajmin ka reaguar dhe vetë ministri Xhelal Sveçla.
“Referuar rastit të keqpërdorimit të detyrës nga zyrtari i Ministrisë së Punëve të Brendshme Riza Alshiqi, për përfitimet e biznesit të tij “Rent a car” në dëm të aseteve shtetërore, përveç inicimit të rastit për hetime në Policinë e Kosovës, i njejti bashkë me 5 zyrtarë të të njejtit departament sot janë pezulluar nga detyra.
Do të vazhdojmë me përpjekjet tona që të gjithë keqpërdoruesit t’i ballafaqojmë me drejtësi teksa zyrtarët e përkushtuar për punë me profesionalizëm e përkushtim do të jenë në nivelin më të lartë të detyrës e në shërbim të qytetarëve tanë”, shkruan ministri Xhelal Sveçla.
Ndërkohë, mediat në Kosovë zbardhin me tepër detaje. Mësohet se gjashtë zyrtarët e pezulluar, shfrytëzonin parkingun e Ministrisë së Brendshme për biznesin e tyre të dhënies së makinave me qira, duke i mbajtur në ambientet e institucionit.