Me letrën drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku i kërkon t’i saktësojë sa është numri aktual i mandateve të deputetëve në bazë të zonave zgjedhore, duket se Presidenti ka hedhur hapin e parë drejt mundësisë së shpërndarjes së Parlamentit.
Debati është fokusuar tek hapësirat që kushtetuta mund ti jap presidentit dhe nëqoftëse situata politike aktuale e justifikon këtë akt.
Informacion nga KQZ, presidenti e kërkon në kohë të shpejtë pa specifikuar arsyet pse i duhet. Kushtetuta parashikon në germe, vetëm 2 raste kur presidenti mund të shpërndaje kuvendin.
Neni 96 i jep të drejtë atij ta ndërmarr këtë akt vetëm kur kuvendi dështon të zgjedh kryeministrin e ri . Një rast tjetër parashikohet në nenin 104, ku theksohet:
“Kryeministri ka të drejtë t’i paraqesë Kuvendit mocion besimi ndaj Këshillit të Ministrave. Në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri, brenda 48 orëve nga votimi i mocionit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit”
Janë këto dy nene që i japin të drejtë presidentit të shpërndaje parlamentin, por në situatën politike ku ndodhet vendi dhe në kushtet kur opozita e dalë nga zgjedhjet e 2017 ka lënë mandatet, Presidenti për aktin e tij krahas konventave të ndryshme, mund ti referohet nenin 64 pika 1 në të cilin thuhet:
“Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore”
Aktualisht Kuvendi shqiptar ka 123 deputet, ndërsa opozita e dal me votë, ka djegur mandatet dhe karriget e tyre janë zënë nga listat plotësuese. E pikërisht ky mund të jetë momenti që presidenti e cilëson parlamentin jo përfaqësues për faktin se 17 zona zgjedhore nuk kanë deputet.
Kushtetuta në nenin 70, thotë se deputet përfaqësojnë popullin, e pikërisht kjo është pikëpyetje? Deri në një vendim i gjithë qëndrimi i presidentit mbetet i pa qartë.
Fakt deri në këto momente është se kreu i shtetit e cilëson Kuvendin aktual shqiptarë jo legjitim, e nuk nguron që këtë ta shpreh publikisht.