Piloti italian Guido Guidi që ndalua në Ishëm, tha për gazetën Corriere Della Sera se detyra e tij ishte testimi i pistave të trafikantëve. Ndërsa tregon se është trajtuar mirë gjatë qëndrimit në shqipëri dhe thekson se paguante për dreka dhe darka.
Në një intervistë për gazetën italiane Corriere Della Sera, piloti italian Guido Guidi që u kap duke testuar pistën e trafikantëve shqiptarë të drogës në Ishëm, thotë se nuk ka asnjë lidhje me bandat e drogës. Ai mohon çdo gjë në lidhje me trafikun e lëndëvë narkotike ndërsa nënvizon se është punësuar vetëm të testojë pistën në Ishëm. Guidi jep detaje edhe në lidhje me ditët e qëndrimit në Shqipëri.
“Drogë nuk kishte. Kam dhënë versionin tim dhe kanë filluar hetimet. Më sistemuan deri pak ditë më parë në një ndërtesë në Durrës. Kishte rreth 700 vende. Aty shkojnë familjarët e policisë gjatë pushimeve”, shprehet piloti Italian për gazetarin Andrea Gali. Guidi bën me dije se bashkë me të qëndronin dy persona dhe një agjent i Interpolit. Gjatë qëndrimit piltoi Italian shëtiste në Durrës, takonte persona dhe mbi të gjitha ndihej i pasur dhe paguante për darka dhe dreka.
Ai pranon se ka pasur një kërkesë nga disa shqiptarë për të transportuar drogë. “Kisha udhëtuar më parë në Shqipëri. Në Vlorë, kisha njohur persona, dy muratorë shqiptarë në veçanti, me objektivin për të fituar lehtësisht para, të cilët më kërkuan të mbikëqyr bregdetin dhe të shikoja për pista ku mund të ulesha, të merrja ngarkesat e drogës dhe të nisesha menjëherë. Kam Gabuar. Pendohem për këtë”, shprehet piloti italian për Corriere.
Guidi thekson se nëse raporti i tij do të ishte i mirë për pistën në Ishëm do të fitonte 5 mijë euro. Ndërkohë, ai thekson se ka disa pilotë të tjerë italianë që janë joshur nga ofertat e shumta të trafikantëve shqiptarë të drogës.