Në Shqipëri do të aplikohet e drejta për të zëvendësuar dënimin me burg me një shumë të hollash. Kush paguan 5 000 lekë për një ditë burgim do të fitojë lirinë. Ky është plani i ri Ministrisë së Drejtësisë për të ulur numrin e të dënuarve në burgje.
Me qëllim që të mos përfitojnë baronët drogës, të dënuarit me rrezikshmëri të lartë shoqërore apo personat që sapo janë dënuar për vepra të rënda penale, është parashikuar një kategori e caktuar, e cila mund të përfitojnë. Konkretisht, të dënuarit deri në tre vjet apo të dënuarit që ju ka mbetur edhe 3 vjet burgim, mund të paguajnë 5 000 lekë për çdo ditë burgim të mbetur dhe të gëzojnë lirinë.
Pra, një i dënuar, të cilit i kanë mbetur edhe 3 vjet burg, për të lënë qelinë, duhet të paguajë 5.4 milionë lekë. Kështu parashikon projektligji për disa ndryshime në Kodin Penal, i propozuar nga Ministria e Drejtësisë. Nisma pritet të shqyrtohet dhe miratohet gjatë sesionit të ri parlamentar, shkruan ‘shqiptarja.com’.
Të gjithë ato persona që janë dënuar me burgim deri në 3 vjet apo që u kanë mbetur pa vuajtur edhe 3 vjet burgim, mund të kërkojnë ta zëvendësojnë dënimin e mbetur me pagimin e një shume të hollash në favor të shtetit, duke llogaritur 5000 lekë për një ditë burgim. Në këtë rast, dënimi konsiderohet i shlyer”, thuhet në nenin 5 të projektligjit, i cili shton këtë paragraf pas paragrafit të parë të nenit 53/a të Kodit Penal në fuqi.
Llogaritja e paraburgimit
Projektligji zgjeron nenin 57 të Kodit Penal në fuqi sa i takon llogaritjes së paraburgimit. Konkretisht, koha e paraburgimit llogaritet në dënimin me burgim, gjobë ose punë në interes publik, ku një ditë paraburgim është barabartë me 1.5 ditë burgim, një ditë arrest shtëpie është barabartë me një ditë burgim, një ditë paraburgim është barabartë me 3000 lekë gjobë, një ditë burgim është barabartë me 2000 lekë gjobë dhe një ditë paraburgim është barabartë me 18 orë pune në interes publik. Po ashtu, pas nenit 43/a, është shtuar neni 43/b, i cili parashikon që shpërblimi i dëmit të shkaktuar konsiston në pagimin në favor të të dëmtuarit nga vepra penale e një shume të hollash brenda kufijve të parashikuar në ligj. Gjykata cakton masën e shpërblimit pasi ka bërë vlerësimin e dëmit të ardhur. Gjykata, duke marrë parasysh gjendjen ekonomike të të dënuarit, mund të lejojë që shpërblimi i dëmit të shkaktuar të paguhet me këste, duke caktuar këstet dhe afatin e pagimit të tyre.
Parashkrimi i ndjekjes penale
Projektligji përcakton që nuk mund të bëhen ndjekje penale kur nga kryerja e veprës deri në çastin e marrjes së personit si të pandehur kanë kaluar tridhjetë vjet në rastin e krimeve që parashikojnë dënim me burgim të përjetshëm, njëzet vjet për krimet, të cilat parashikojnë dënim me mbi dhjetë vjet burgim dhe dhjetë vjet për krimet që parashikojnë dënim deri në dhjetë vjet burgim. Ndërkaq vrasja me dashje dhe vrasja e funksionarëve publikë përjashtohen nga parashikimi.
Llogaritja e paraburgimit
Një ditë paraburgim e barabartë me 1.5 ditë burgim.
Një ditë arrest shtëpie e barabartë me një ditë burgim.
Një ditë paraburgim e barabartë me 3000 lekë gjobë
Një ditë burgim e barabartë me 2000 lekë gjobë.
Një ditë paraburgim e barabartë me 18 orë pune në interes publik.
Disa nga ndryshimet në Kodin Penal
Neni 5
Në nenin 53/a, pas paragrafit të parë, shtohet paragrafi me përmbajtjen si më poshtë vijon: “Të gjithë ato persona që janë dënuar me burgim deri në 3 vjet apo që u kanë mbetur pa vuajtur edhe 3 vjet burgim, mund të kërkojnë ta zëvendësojnë dënimin e mbetur me pagimin e një shume të hollash në favor të shtetit, duke llogaritur 5000 lekë për një ditë burgim. Në këtë rast, dënimi konsiderohet i shlyer.”
Neni 11
Neni 96 riformulohet me këtë përmbajtje: “Neni 96. Shkelja e etikës mjekësore dhe trajtimi mjekësor alternativ. Veprimi apo mosveprimi i mjekut në kundërshtim me kërkesat e kodit të etikës profesionale, duke shkaktuar dëmtim të konsiderueshëm të shëndetit të pacientit, dënohet me gjobë, heqje të së drejtës së ushtrimit të profesionit dhe me shpërblimin e dëmit të shkaktuar pacientit. Veprimi apo mosveprimi i punonjësve të tjerë mjekësorë, të cilët gjatë kryerjes së detyrave kanë vepruar në kundërshtim me kërkesat e kodit të etikës profesionale, duke shkaktuar dëmtim të konsiderueshëm të shëndetit të pacientit, dënohet me gjobë, heqje të së drejtës së ushtrimit të profesionit dhe me shpërblimin e dëmit të shkaktuar pacientit. Ushtrimi i mjekësisë alternative, pa autorizimin përkatës të autoriteteve shëndetësore, kur i ka shkaktuar një dëmtim të konsiderueshëm shëndetit të pacientit, dënohet me gjobë, heqje të së drejtës së ushtrimit të profesionit dhe me shpërblimin e dëmit të shkaktuar. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar vdekjen e pacientit, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.”
Neni 96/b
Dështimi për dhënien e ndihmës mjekësore
Mosdhënia e ndihmës së parë nga mjeku apo ndonjë punonjës tjetër mjekësor, në shkelje të detyrave të tyre profesionale, dënohet me gjobë ose burgim deri në një vit.
Neni 96/c
Mashtrimi në trajtimin mjekësor
Kryerja e trajtimit mjekësor ose trajtimit alternativ mjekësor, nga mjeku që nuk ka kualifikimet e duhura, duke shkaktuar vonesë në marrjen e ndihmës mjekësore në kohën e duhur për pacientin, dënohet me heqje të së drejtës se ushtrimit të profesionit dhe me shpërblimin e dëmit të shkaktuar.
Po kjo vepër, kur ka shkaktuar dëm serioz për shëndetin e personit, dënohet me gjobë, heqje të së drejtës së ushtrimit të profesionit dhe me shpërblimin e dëmit të shkaktuar.
Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen, dënohet me burg nga dy deri në tetë vjet.
Neni 69
Rehabilitimi
Quhen të padënuar:
a) ata që janë dënuar me burgim për një kohë gjer në gjashtë muaj ose me çdo dënim tjetër më të lehtë dhe që gjatë dy vjetëve nga dita e vuajtjes së dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër penale;
b) ata që janë dënuar me burgim për një kohë nga gjashtë muaj gjer në pesë vjet dhe që gjatë pesë vjetëve nga dita e vuajtjes së dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër penale;
c) ata që janë dënuar me burgim për një kohë nga pesë gjer në dhjetë vjet dhe që gjatë shtatë vjetëve nga dita e vuajtjes së dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër penale;
ç) ata që janë dënuar me burgim për një kohë nga dhjetë gjer në njëzet e pesë vjet dhe që gjatë dhjetë vjetëve nga dita e vuajtjes së dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër penale.
Neni 70
Falja
Me aktin e faljes organi kompetent përjashton tërësisht apo pjesërisht personin nga vuajtja e dënimit të dhënë me një vendim gjyqësor ose bën zëvendësimin e dënimit me një lloj dënimi më të butë.
Neni 71
Amnistia
Me aktin e amnistisë organi kompetent përjashton nga ndjekja penale, nga vuajtja tërësisht apo pjesërisht e dënimit ose bën zëvendësimin e dënimit me një lloj dënimi më të butë. Amnistia shtrihet për ato vepra penale të kryera deri një ditë para shpalljes së saj, veç rastit kur në aktin përkatës vendoset ndryshe.