Plani Kombëtar Kundër Kanabisit, në aksion Shërbimet Sekrete dhe Ushtria

0
604
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Një grup ndërministror në përbërje të të cilit është edhe ushtria si dhe shërbimet inteligjente, do t’i shpallë luftë kanabisit në Shqipëri.

Zv.Kryeministri Niko Peleshi prezantoi planin antikanabis të miratuar nga këshilli i Ministrave, duke dhënë detaje për mënyrën se si do të funksionojë.

Sipas Peleshit, grupi që ta drejtojë vetë ai, do të ketë qëllim goditjen që në gjenezë të fenomenit.
Në strategji, parashikohen dënime mjaft të ashpra ndaj zyrtarëve që nuk do ta kenë nën kontroll territorin për të cilin janë përgjegjës, ndërsa plani do të shoqërohet edhe me vettingun e tyre.
Pas deklaratës së zv.kryeministrit, i shpejtë ishte reagimi i ish-ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani, i pari që ka propozuar përfshirjen e ushtrisë në luftën kundër kanabisit, gjë që shkaktoi edhe përplasje politike.
“E përshëndes Zv.kryeministrin që pranoi sugjerimin tim për futjen e ushtrisë në luftën antikanabis. Zoti Peleshi është i vetmi që dëgjon.”
Paketa e masave përfshin edhe ndërgjegjësimin publik, lehtësimin e barrës fiskale dhe mbështetjen sociale për individët dhe komunitetet nën risk.
Fjala e Niko Peleshit
Sot, Këshilli i Ministrave miratoi Planin e veprimit kunder Kultivimit dhe Trafikimit te Kanabisit 2017-2020.
Ky plan përfaqëson një dokument strategjik të Qeverisë Shqiptare që do të udhëheqë të gjithë përpjekjen ndërinstitucionale kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit në vendin tonë.
Ky plan është finalizimi i një procesi të iniciuar nga Kryeministri Edi Rama dhe të mbështetur fuqimisht nga partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët gjej rastin ti përshëndes dhe t’i falenderoj per kontributin e cmuar.
Në zbatim të Urdhrit të Kryeministrit nr. 170, datë 23.11.2016 një grup ndërministror, i kryesuar nga Zëvendëskryeministri, dhe një grup ekspertësh nga të gjitha institucionet, i kryesuar nga Këshilltari i Kryeministrit Sander Lleshi, kanë punuar për hartimin e planit. Në këtë proces intensiv janë përfshirë edhe shumë ekspertë nga BE dhe organizata e vende të tjera partnere.
Nëpërmjet këtij plani, qeveria shqiptare, parashikon marrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit në vend.
Kultivimi dhe trafikimi i kanabisit është evidentuar si fenomen në Shqipëri që në vitin 1991. Vitet në vijim, kanë qwnw një duel i pandërprerë mes institucioneve ligjzbatuese dhe rrjeteve e grupeve të trafikimit.
Tolerimi zyrtar dhe mbështetja e hapur politike e kultivimit të kanabisit në komunën e Lazaratit të qarkut Gjirokastër e më gjerë deri në vitin 2013, krijoi kushte të favorshme për grupet kriminale, të cilat, për më shumë se një dekadë, arritën të konsolidojnë financat, rrjetet, tregjet dhe lidhjet politike.
Modeli negativ i krijuar në Lazarat ndikoi shumë, jo vetëm në fuqizimin e shumanshëm të grupeve dhe rrjeteve kriminale, por edhe në inkurajimin e kultivimit të kanabisit në rajone të tjera të vendit.
Goditja e suksesshme kundër grupeve dhe rrjeteve kriminale në Lazarat në vitin 2014, solli si pasojë, që energjitë kriminale të përqendruara në këtë rajon të shpërndahen në drejtime të tjera në vend.
Theksi kryesor i Planit Kombëtar kundër Kanabisit është përpjekja e përbashkët ndërinstitucionale për goditjen e gjithanshme/ frontale që ka për qëllim identifikimin, zbulimin dhe shkatërrimin e grupeve dhe rrjeteve kriminale që janë aktive në fushën e kultivimit dhe të trafikimit të kanabisit.
Duke filluar nga ky vit Policia e Shtetit, organet ligjzbatuese dhe të gjitha institucionet e tjera që kanë lidhje do të angazhohen në një operacion të gjerë dhe të kombinuar, e theksoj te kombinuar i cili do të sigurojë identifikimin e hershëm dhe goditjen që në gjenezë të përpjekjeve për kultivim apo trafikim.
Në shërbim të këtij operacioni, ne perberje te TASK FORCES QENDRORE DHE TASK FORCAVE LOKALE do të jenë kapacitetet e Policisë së Shtetit, të shërbimeve inteligjente, të ushtrisë, të bujqësisë, të mjedisit, të shëndetësisë, ato të pushtetit vendor, partnerët ndërkombëtarë etj..
Plani parashikon masa serioze ndaj të gjithë zyrtarëve të nivelit qendror dhe lokal, të cilët nuk arrijnë të mbajnë në administrim e kontroll efektiv territorin për të cilin janë përgjegjës. Po ashtu, një proces vlerësimi dhe vetingu ndaj zyrtarëve me përgjegjësi në këtë fushë do të shoqërojë procesin e zbatimit të planit.
Identifikimi dhe sekuestrimi i aseteve të krijuara nga veprimtaritë kriminale është një kriter i rëndësishëm për të matur shkallën e suksesit në përballjen me fenomenin e kanabisit.
Përveç theksit të fortë goditës kundër grupeve, rrjeteve dhe financave kriminale që nxisin dhe organizojnë kultivimin dhe trafikimin, Plani i kushton një rëndësi të veçantë masave që kontribuojnë në shkurajimin e qytetarëve për t’u përfshirë në veprimtari të paligjshme në këtë fushë.
Një paketë shumë e gjerë masash që synojnë ndërgjegjësimin publik, nxitjen dhe mbështetjen e veprimtarisë ekonomike të ligjshme në zonat dhe komunitetet e prekura, lehtësimin e barrës fiskale dhe mbështetjen sociale për individët dhe komunitetet nën risk është përcaktuar në Planin Kombëtar kundër Kanabisit.
Bashkëpunimi ndërkombëtar konsiderohet si një prioritet tjetër i rëndësishëm për suksesin e përpjekjes kundër kanabisit.
Zbatimi i Planit Kombëtar Kundër Kanabisit përbën një prioritet të rëndësishëm të Qeverisë dhe të institucioneve. Viti 2017 do të shënojë pa asnjë dyshim një kulm të rëndësishëm në goditjen e fenomenit të kanabisit në Shqipëri.
Me këtë rast ftoj të gjithë qytetarët, aktorët e shoqërisë civile, mediat dhe partnerët ndërkombëtarë të bashkohen me përpjekjet e institucioneve për të kontribuar në arritjen e vizionit “Për një Shqipëri të çliruar nga bimët narkotike, ku dinjiteti, mirëqenia dhe siguria e qytetarëve bazohen tek puna e ndershme dhe respekti ndaj ligjit”, që udhëheq planin e ri.

Zjarr Tv Ad