Plas debati për floririn që mori mbreti Zog. Drejtori i Arkivës Bido: Mori 40 milion USD florinj kur iku. Reagon princi Leka

0
4364
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ka nisur debati për floririn e marrë nga Mbreti Zog kur u largua nga Shqipëria.

Drejtori i Arkivës, Ardit Bido thotë se dokumenti sekret ku tregohej sasia e floririt që kishte marrë me vete Mbreti Zog pas largimit nga Shqipëria në vitin 1939, u publikua pasi ishte studiuar nga arkivistët. I ftuar në emisionin “Now” në Euronews Albania, Bido u shpreh se në këtë dokument, një qytetar shqiptar i raporton milicisë fashiste, sasinë e floririt që kishte marrë Mbreti Zog, bazuar në informacionin e palës greke. Sipas Bidos, arkivat promovojnë vazhdimisht dokumente dhe shtoi se në këtë institucion, ka ende dosje që nuk janë hapur.

“Ne botojmë dokumente çdo ditë, është pjesë e promovimit tonë dhe nuk ka asnjë arsye konkrete përse një dokument del në një moment apo në një moment tjetër, sesa është fakti që arkivistët tonë, gjatë punës së tyre të përditshme, shohin dokumente që janë pak të studiuara ose aspak të studiuara. Ka me mijëra dosje në arkivë që nuk janë hapur kurrë nga studiuesit që në çastin që janë përpunuar.

Rrjedhimisht, para pak ditësh është botuar ky dokument në vazhdën e promovimit tonë. Bëhet fjalë për një dokument, ku një qytetar shqiptar me emrin Gjon Lusha, i raporton milicisë fashise se sipas informacioneve të marra nga pala greke, kur Mbreti Zog kaloi kufirin e Kapshticës për në Greqi, kishte një sasi prej 250 mijë napolona ari me vete, listohen edhe shifra që kishin edhe të tjerë personalitete që shoqëronin Mbretin Zog,”– theksoi ai.

Në të njëjtin emision, Princ Leka u shpreh se fakti që dokumenti ruhet në Arkivin e Shtetit, nuk i jep atij asnjë vlere të shtuar dokumentare, për aq kohë sa nuk mbeshtetet në pohime dokumentare të tjera, të verifikueshme dhe të kryqëzuara. Sipas tij, vendi ka nevojë për ndershmëri intelektuale dhe pedagogji të mirëfilltë në shkrimin dhe transmetimin e historisë.

“Personalisht më duket e tepërt që t’i kushtohet një emision një rrefimi kaq të cekët, shkruar në gjuhën dhe për hesap të pushtuesit të kohës, pa një qëmtim të hollësishëm të kontekstit historik. Fakti që rrëfimi në fjalë ruhet në Arkivin e Shtetit, nuk i jep atij asnjë vlere të shtuar dokumentare dhe aq më pak e bën të pagabueshëm, të paktën për aq kohë sa nuk mbeshtetet në pohime dokumentare të tjera, të verifikueshme dhe të kryqëzuara.

Jam i keqardhur që profilet sociale të AQSH mëtojnë të bëjnë sensacion me copa letrash, ndërkohë që AQSH ka për mision të ruaje dhe të vendosë në dispozicion të studiuesve një dokumentacion të plotë dhe cilësor. Vendi nuk ka nevojë për sensacione, ka boll nëpër portale, por për ndershmëri intelektuale dhe pedagogji të mirëfilltë në shkrimin dhe transmetimin e historisë. Leka II,”– thuhet në reagimin e tij.

Si qëndron puna me këto dokumente?

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka publikuar dy dokumente që tregojnë se sasia e arit që ka marrë mbreti Zog kur u largua nga Shqipëria më 1939 dhe sipas tyre, është shumë herë më i madh sesa dihej deri më tani. Në dokumentin e firmosur nga Gjon Lusha thuhet se më datë 8 prill 1939 Mbreti Zog ka kaluar kufirin me Greqinë dhe gjatë kontrollit i janë gjetur: 250.000 napolona ari të mbretit Zog; 60.000 të Abdurrahman Mati; 40.000 të Gjeneral dhe 40.000 të Aranitil Ministrit Musa Juka.

Bido tha se 250 mijë napoleonë floriri ishte në vlerën e kohës 1.5 milionë dollarë, por me inflacionin sot, do të kapte vlerën e afro 40 milionë dollarëve.

Zjarr Tv Ad