Gjatë debatit parlamentar për Ligjin për Pagat kanë replikuar kryeministri Albin Kurti me deputetin e AAK-së, Ramush Haradinaj. Kreu i AAK-së i tha kryeministrit Kurti se ligjeratat nuk i zgjedhin problemet. Haradinaj ashtu sikur dje i tha Kurtit që t’i dërgoj në KEK ministrat dhe t’ua vendosë një tendë.
“Çoj ministrat deri në KEK e vendosja një tendë në KEK le të mërdhihen”, tha ai.
Pas kësaj deklarate Kurti i ka replikuar Haradinajt me një kundërpropozim. “Meqë mu dha propozimi që ministrat e mi t’i çoj te KEK-u, që të mërdhihen, unë e kam një kundërpropozim. Deputeti Haradinaj, le t’i kthen në shtet 200 hektarë tokë edhe ne po ia japim 70 mijë euro”, tha Kurti. I menjëhershëm ishte dhe reagimi nga Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Kurti saherë po don me fshehë prej pazotësi të tij po thotë se i ka ble 200 hektarë tokë. Po është e vërtetët z.Kurti. Me Ligjet e Kosovës, në kohën e OKB-së, e kam shfrytëzuar një të drejtë ligjore që ka mundur edhe një shtetas së huaj, e kam riblerë tokën e babait tim, është në Gllogjan, në katundin tim, nuk është një metër tjetër kund”, ka thënë ai.