Policia e shtetit ka liruar një sipërfaqe plazhi prej 10 mijë m2 në Ksamil në një sipërfaqe që ishte zaptuar në mënyrë të paligjshme.
Në kuadër të aksionit kundër informalitet që ka nisur tashmë prej javës së kaluar në zonën bregdetare, janë proceduar penalisht 6 pronarë subjektesh, konkretisht, 5 në Vlorë dhe një në Divjakë.
Pesë prej këtyre subjekteve akuzohen për “Fshehje të të ardhurave” dhe 1 për “Zënia e hapësirave publike”.
Mes të proceduarve është dhe nënkryetari i bashkisë Sarandë, shtetasi Th.M, pasi nuk ka ekzekutuar vendimin e kryetarit të bashkisë për lirimin e një plazhi publik me sipërfaqe 600 m2.
Sipas policisë në Ksamil, tek zona bregdetare e quajtur “Pema” në Ksamil, janë bllokuar dhe sekuestruar 1185 shezlongë, 351 çadra dhe një tendë dielli për mbulimin e shezlongëve rreth 40 m e gjatë, të cilat shfrytëzoheshin pa kasë fiskale dhe pa lejen përkatëse nga Bashkia e Sarandës.
Ndërkohë sipas njoftimit zyrtarë në Vlorë dhe Divjakë janë proceduar edhe dy administratorë biznesesh pasi në subjektet e tyre janë konstatuar mungesë dokumentacioni dhe pa kasë fiskale.
Një ditë më parë kryeministri Rama deklaroi se beteja mes Policisë së Shtetit dhe inspektorateve qëndrore, nga fillimi i korrikut po ndikon në përmirësimin e situatës, por kjo nuk mjafton.
Për këtë arsye në vjeshtë në Kuvend do hartohet një ligj i ri për mbrojtjen dhe administrimin e vijës bregdetare nga shteti.