“Plehrat do hidhen me orar”, Kumbaro thirrje bizneseve në prag të sezonit turistik: Qeveria do të financojë një operator shtesë në ndihmë të bashkive

0
54
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ministrja Mirela Kumbaro ka vijuar turin e takimeve me bizneset e sektorit të turizmit dhe turoperatorët në qytetin e Kavajës, në prag të nisjes së sezonit turistik.

Në takim ku ishin të pranishëm kryetari i bashkisë së Kavajës Redian Krajli dhe kryetarja e bashkisë Durrës Emiriana Sako, Kumbaro tha se në të dy bashkitë do të ndërhyhet me forca shtesë për pastrimin e vijës bregdetare gjatë 3 muajve të verës.

“Bashkia Kavajë dhe Bashkia Durrës kanë marrë një financim suplementar këtë vit për të përballuar menaxhimin e integruar të mbetjeve që nga mbledhja nëpër kosha deri në pikën fundore në landfill dhe së treti të dyja bashkitë janë pjesë e një instrumenti të posaçëm financiar që përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit do të ndihmohen me një operator shtesë të financuar nga buxheti i shtetit me qëllim shtimin e kapaciteteve pastruese për pjesën e plazhit gjatë sezonit”, u shpreh ministrja e Turizmit dhe Mjedisit.

Kumbaro u kërkoi bizneseve që t’i hidhnin mbetjet e tyre me orar, sipas grafikëve të përcaktuar nga bashkitë, duke paralajmëruar kontrolle nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Brenda lejes mjedisore që hotelet kanë marrë për të ushtruar biznesin e tyre, kanë edhe detyrimin e menaxhimit të mbetjeve dhe ky kontroll do të jetë i rreptë këtë sezon nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, prandaj është shumë e rëndësishme ta mbajmë këtë komunikim.

Kërkojmë respektimin e orareve që do të vendosë bashkia për t’ua marrë juve mbeturinat në vendin e caktuar me qëllim që bizneset të mos i shkarkojnë në çdo orë të ditës mbetjet te koshat. Koshat janë për familjarët dhe ndotësit më të mëdhenj në fakt nuk janë familjarët, por bizneset” shtoi Kumbaro duke kërkuar përgjegjësi e bashkëpunim.

Në lidhje me aplikimin për stacionet e plazheve, ministrja tha se sistemi nuk do të hapet për herë të dytë, ndërsa parcelat të cilat mbeten te lira do të kalojnë automatikisht në plazhe publike. Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro kujtoi se këtë vit procesi nisi shumë më herët se zakonisht, që në muajin janar.

“Ju e dini se këtë vit ka filluar më herët i gjithë procesi i organizimit të stacioneve të plazheve dhe të gjithë ata që nuk arritën të aplikojnë në kohë, me keqardhje u themi se nuk mund të bëhen pjesë e sistemit pasi do të rrezikonim prishjen e tij. Stacionet e plazheve për të cilat nuk është aplikuar do të jenë publike. Nuk do t’i jepen dikujt tjetër, sepse sistemi i aplikimeve s’do të hapet më”, u shpreh Kumbaro.

Procesi i aplikimit për menaxhimin e stacioneve të plazheve nisi që në 27 janar dhe u mbyll në muajin shkurt, teksa ministrja Mirela Kumbaro u rikujtoi bizneseve edhe detyrimin për të pasur roje bregdetare gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre. Gjithashtu, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit lajmëroi edhe mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit për shqyrtimin e aplikimeve për formalizimin e strukturave të përkohshme të shërbimit, ndryshe të quajtuar “beach-bar.”

Zjarr Tv Ad