“Plehrë”! Genta Sula reagon pas fyerjeve nga Spartak Braho: Iku koha kur njerëzit trajtoheshin si…

0
152
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Deputeti i Partisë Socialiste është përfshirë në një debat me një tjetër institucion që merret me sistemin komunist.

Prej dy ditësh, ai u bë sërish mediatik pasi doli mesazhi që kishte dërguar në grupin e deputetëve të Komisionit të Ligjeve ku etiketonte Genta Sulën si “plehrë”. Kjo është hera e dytë që Braho sulmon kryetaren e Autoritetit për Hapjen e Dosjeve, duke dëshmuar një mëri të vjetër.

Por Genta Sula, ndryshe nga hera e parë, nuk ka qëndruar e heshtur përpara sulmeve të Brahos. Konkretisht, akuza e Brahos u bë pas një ftese që Genta Sula i kishte dërguar Komisionit të Ligjeve për të marrë pjesë në ceremoninë që u organizua në Presidencë në nderim të familjeve Petrela dhe Topulli.

Ndaj kësaj ftese, Braho reagoi duke e cilësuar Genta Sulën si “plehrë”. Ditën e djeshme ku u zhvillua ceremonia, Genta Sula i ktheu “reston” Spartak Brahos. Ajo mbajti një fjalë përshëndetëse përpara pjesëtarëve të familjes Petrela dhe Topulli ku theksoi se “Ka ikur koha kur njerëzit trajtoheshin si plehra”. Në këtë mënyrë, ajo etiketoi Spartak Brahon pas akuzave të bëra nga ky i fundit.

DEBATI NË GRUPIN E “LIGJEVE”.

Futja e teknologjive të reja të komunikimit në përdorim ka “infektuar” edhe Komisionin e Ligjeve. Për të përshpejtuar njoftimin e deputetëve, sekretaria e komisionit ka krijuar një grup komunikimi me aplikacionin “WhatsApp”, që është ndër më të përdorurit. Siç vihet re edhe nga fotot e këtij komunikimi në “WhatsApp”, deputeti socialist, duke iu referuar pikërisht ftesës së kryetares së Autoritetit të Dosjeve për të marrë pjesë në ceremoninë në nderim të familjes Petrela, nuk nguron të shprehet se ajo është një plehrë, duke shprehur mospajtimin e tij me këto nderime.

“Kjo është plehrë”, ka shkruar shkurt deputeti socialistë Spartak Braho në grupin e “WhatsApp”-it. Por ky etiketim ndaj kreut të Autoritetit të Dosjeve nuk ka kaluar pa debat mes anëtarëve të tjerë të Komisionit të Ligjeve që janë pjesë e këtij grupi në “WhatsApp”. Kryetari i Partisë Balli Kombëtar, që është edhe pjesë e Komisionit të Ligjeve, i është kundërpërgjigjur Brahos duke e cilësuar atë një komunist të ndyrë dhe shpirtzi. “Ç’është ky more, komunist i ndyrë? Gojëprishur që i bën njerëzit plehra, ç’është ky? Ka botë njerëzore ky more? Ky është shpirtzi. Si mundet të jetë anëtar i Komisionit të Ligjeve, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, si mundet të jetë deputet? Ky nuk është njerëzor, çfarë bëhet kështu dhe ne të mendojmë se shoqëria shqiptare të ecë drejtë pajtimit kombëtar. Mallkuar qofshi racë e poshtër”, ka shkuar Alimadhi në grupin e deputetëve.

PËRPLASJET E MËPARSHME

Përplasjet ndërmjet Spatak Brahos dhe Genta Sulës kanë qenë edhe më të hershme. Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve të datës 23 tetor të vitit 2018, po zhvillohej një seancë dëgjimore për një vend vakant në bordin e Autoritetit të Dosjeve. Gjatë kësaj mbledhjeje, Braho ka kritikuar Genta Sulën, edhe pse ajo nuk ishte e pranishme në sallë. Braho kërkoi informacione për dorëheqjen e ish-anëtarit të Bordit të Autoritetit të Dosjeve, Daut Gumeni, duke shtuar se “Genta Sula nuk është në rregull”. “Dauti pse iku? Shikoni se atë kryetare që kemi atje, nuk e kemi shumë në rregull”, është shprehur deputeti Spartak Braho në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve të datës 23 tetor 2018.

Braho ka sulmuar edhe Agron Tufën

Deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho, është përplasur edhe me një tjetër institucion që merret me të kaluarën komuniste të vendit tonë. Konkretisht, Braho ka patur më parë përplasje të forta edhe me Agron Tufën, kreun e Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Në një mbledhje të Komisionit të Ligjeve, të zhvilluar në datën 1 prill 2019, ku në rendin e ditës ishte miratimi i projektrezolutës për vlerësimin e veprimtarisë së ISK-së, Braho akuzoi Tufën se ka shumë helm brenda tij.

“Ka shumë helm brenda në tërë veprimtarinë e këtij institucioni. Në këto kushte, unë mendoj që nuk do ta votoj pozitivisht këtë rezolutë, madje do kërkoj shkarkimin e Agron Tufës, derisa t’i thërrasë mendjes e të jetë më i ekuilibruar në veprimtarinë e tij. Ky institut, me Agron Tufën në krye, është kthyer në një seksion të Ballit Kombëtar, duke marrë përsipër të nxijë çdo gjë, duke përfshirë luftën, heronjtë, dëshmorët, dhe nuk ka asgjë shkencore në tërë analizat që ka bërë ky institut. Ky është thjesht një institut studimi, nuk ka pse ngatërrohet me politikën, nuk ka pse operon me terminologji lustracioni, sepse lustracioni është i ndaluar me ligjin që kemi miratuar”, ka thënë deputeti socialist Spartak Braho.

Nga ana tjetër, Agron Tufa reagoi në atë kohë nëpërmjet një postimi në “Facebook” ku kishte theksuar se: “Miq të nderuar, dhuratën më të çmuar sot për datëlindje ma ka bëre direkt nga salla e Kuvendit bash përfaqësuesi i zi i ish-Sigurimit të shtetit, deputeti Spartak Braho. Dëgjojeni dhe, ju lutem, shpërndajeni sa më gjerë, ta dinë të gjithë se si na rrezikohet jeta nga këta neandertalë të komunizmit!”./Panorama

Zjarr Tv Ad