Po përse Ministria e Arsimit nuk flet më për mësimin onllajne?

0
25

Nga Ndriçim Mehmeti

E dashuruar fort pas mësimit onllajne, prej marsit e deri në fund të majit, Besa ka rënë në qetësi, prej më shumë se dy muajsh. Njëherë e më shumë në javë, dilte na përshëndeste familjarisht, na pyeste si e kishim shëndenë, na kthente xhevap për pyetjet që i bënte vetë në emër të prindërve, nxënësve, mësuesve dhe prindërve. Tani Besa na humbi nga ekrani dhe FB-ja. Dërgon ndonjë postim në FB, me parlamentin e të rinjve, studentëve, nxënësve të 9-vjeçares dhe kopshtit me drekë dhe kaq.

Po përse Besa nuk flet më për mësimin onllajne?

Si fillim Besa nuk e di nëse do të jetë më në shtator apo jo. Disa gojë të liga e lidhnin atë dhe bashkatdhetarin e saj në Ministrisë e Jashtme, Gjinon, me spastrimet e mundshme që do të ndërmarri Komandanti në shtator. Kështu që Besa me siguri e ka përqendruar vëmendjen tek bereqeti i fundit që mund të hedhi në magazinën e saj, për një dimërim sa më të mbarën në vitet e ardhshme. Për tendera, ndonjë lek që mund të dali për ndere të vogla në ikje e sipër, ja vlen të përqendrosh të gjitha fuqitë e tua. Kjo është një arsye jo dosido, që mund të renditet si më kryesorja. Një tjetër arsye është se Besa nuk ka asnjë plan, nuk ka zhvilluar asnjë trajnimin, nuk ka asnjë informacion për shumë problematika mjaft të mprehta me të cilat do të përballet arsim shqiptar prej fundit të muajit gusht e në vijim. Trajnimi i premtuar për mësimdhënësit në lidhje me mësimin onllajn, u krye fare pak dhe në mënyrë formale. Numri i saktë i nxënësve dhe studentëve që nuk morën pjesë në mësimin onllajne ose nuk dihet fare dhe për më tepër, shifrat janë kontradiktore. Për shembull: në fillim Besa tha se “janë identifikuar 10 mijë fëmijë që nuk marrin mësim onllajne”. Kjo ishte deklarata e muajit maj. Në fillim të qershorit Besa e “futi në ujë shifrën”, duke e bërë 9400. A janë këto shifra reale? Kurrsesi jo. Mjafton të numërosh fëmijët që dalin në çdo kronikë të TV, nga shtëpitë dhe çadrat ku rrinë që prej tërmetit të muajit shtator e dhjetor 2019, e deri më tani dhe e kupton gënjeshtrën trashë të Besës.

Por le të marrim të mirëqenë shifrat e dhëna. Cili është plani i Besës për të mundësuar që edhe këta fëmijë të ecin me hapin e shokëve të përparuar falë mësimit të suksesshëm onllajne? Po plani i masave i premtuar me aq bujë për vitin e ri shkollor 2019-2020 dhe ai akademik 2019-2020, kur do të jetë gati për publikun? Mos të harrojmë që Besa dhe Denaj me shumë përtim vetëm dy ditë më parë kanë nxjerrë, udhëzimin e vitit të ri shkollor, që në traditën e arsimit parauniversitar ishte në duart e drejtuesve, mësuesve, prindërve dhe nxënësve, që në fillim të muajit qershor. Por Besa më shumë duket se e ka përqendruar vëmendjen tek reforma zgjedhore dhe mbi të gjitha tek zgjedhjet apo më mirë votimet në universitete, që rastisin në mënyrë dramatike me ndryshimet kushtetuese e për rrjedhojë do të mbahen mend gjatë të dyja ngjarjet e kësaj dite.

Me apo Besën, do të kemi mësim onllajne, në shkolla, apo nuk do të bëhet mësim fare?

Të tilla hamendësime e dilema të tjera, mudn të ketë kushdo në kokë. Përgjigja më e sigurt në këto raste, është se asnjëherë nuk do të marrim përgjigjen e Besës. Do të kemi improvizime, sikundër ndodhi në mars. Çdo dy javë pas datës zyrtare të fillimit të shkollës, Besa do të dali nga zyra e saj komode dhe do të thotë premtimet bajate se “ne shpresojmë që shkolla të hapet shkolla pas dy javësh”, por askush nuk do të kuptoj se çfarë do të ndodhi me fëmijët e tyre. Prej më se 4 muajsh e më shumë fëmijët dhe nxënësit nuk janë më në shkolla dhe në institucionet arsimore.

Ata nuk kanë pasur mundësi as në grupime të vogla, të punojnë, argëtohen dhe socializohen në periudhën e verës. Nuk dihet sesi do të ofrohet shërbimi arsimor për fëmijët me nevoja dhe aftësi ndryshe, të cilët e ndiejnë edhe më shumë se bashkëmoshatarët e tjerë mungesën e mjediseve të shkollës. Shkolla për ta ishte oazi i lumturisë, si kënd i mrekullueshëm, ku ishin me shokët, këndonin, qeshnin mësonin, argëtoheshin, përpara se të mbylleshin pas dyerve të shtëpisë. Tani ata nuk kanë askënd tjetër veç prindërve (dhe ata me orar të kufizuar), por sytë u mbeten tek dera, nëse mësuesi, shoku apo shoqja do të brofin krejt papritur për ta bërë sado pak të lumtur. Arsimi profesional nuk e di si do t’i shkojë filli. Humbën një gjysmë viti shkollor, shumë të rëndësishëm, veçanërisht në aspektin e praktikës profesionale dhe nuk dihet sesi do të fillojë viti i ri shkollor. Po kështu edhe studentë.

Le të marrim të mirëqenë planin e Besës për fillim e vitit të ri akademik për programin Bachelor dhe Master në muajin nëntor. Atëherë mësimi do të përfundoj në gusht të vitit tjetër. Studentët do të futen në vitin e ri akademik 2019-202, të lodhur nga vijimësia që do ti bëjnë leksioneve në muajin shtator dhe pa u çlodhur akoma, fillojnë një vit tjetër, të pasigurt e të mundimshëm. Më të fituarit sigurisht dolën ata që mbaruan studimet Bachelor dhe Master. Një pjesë jo e vogël e morën shkollën pa ndonjë mundim të madh dhe për më tepër kanë fatin të votojnë për organet drejtuese në universitet, duke qenë se vit tjetër nuk janë më studentë?! Për besë, plan i bukur Besë. Por për të gjitha këto Besa nuk e vret mendjen fare. Dhe në fakt nuk ka përse ta vras. Kismet Zotit ishalla është në shtator, pastaj e ka fare të thjeshtë. Komandanti do ti çoj tekstin dhe Besa do të ligjëroj në gjuhë të huaj se çarë do të ndodhi me arsimin parauniversitar dhe atë universitar në sezonin 2019-2020. Për mundësitë që kanë shqiptarët për ta ndjekur onllajne, kufizimet e internetit, pamundësinë ekonomike, problemet që do të hasin mësuesit, gjithsecili të mendojë vetë. Besa nuk është aty të mendoj për të gjithë këto halle, bile-bile, as që duhet t’ia përmendim. Në fund të fundit e vetmja gjë për të cilën ajo nuk di, nga shumë të tjera mangësi që ka, është arsimi. Aty padija e saj është në shkallën më të lartë kështu që kot ja shtrojmë edhe këto pyetje. Prandaj Besa nuk del të flas për mësimin onllajne. E për çfarë i duhet xhanëm që të flas për arsimin, kur Rilindja të cilën ajo e adhuron më shumë se do gjë tjetër në këtë botë, e urren dijen, kulturën, trashëgiminë kulturore, intelektin dhe mundësinë që të jep shkollimi për sukses në jetë.

Prandaj Besë, hiç mos fol më për mësimin onllajne. Bli vezë e sallatë e rri rehat në shtëpi. As mos u merr e as mos na kthe përgjigje ne njerëzve të dalë “jashtë mode”, që flasim për arsim, dije e pasuri shpirtërore me të cilat duhet të pajiset rinia dhe shoqëria jonë sot, për të qenë e begatë nesër.