Kandidati i Partisë Demokratike në qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi ka deklaruar ditën e sotme se qytetarët janë ankuar për drejtorin e PMNZSH Zjarrfikëse Shkëlqim Goxhaj, që po shpërndan para në zonën e pallateve Çabej.
Këlliçi paralajmëron Goxhajn se nëse nuk respekton uniformën, ai dhe të gjithë zyrtarët e tjerë që shfrytëzojnë funksionet publike për qëllime elektorale, atëherë do të përballen me forcën e ligjit, pas zgjedhjeve të 25 prillit.
“Po marr dhjetra ankesa nga qytetarë, për përfshirjen e drejtorit të PMNZSH Zjarrfikëse Shkëlqim Goxhaj, në shpërndarje parash në zonën e pallateve Çabej.
I bëj thirrje Z. Goxhaj të respektojë uniformën e shtetit dhe të mos shfrytëzojë funksionin publik që ka, për interes partiak.
Pas 25 prillit, Shkëlqim Goxhaj dhe cilido zyrtar tjetër që paguhet me paratë e taksapaguesve shqiptarë, dhe që shfrytëzon funksionet publike për qëllime elektorale, do të përballet me forcën më të madhe të ligjit. Jua njohim fytyrat dhe veprat. Nuk ju harrojmë!” deklaroi Këlliçi.