Nga Elona Caslli
Po sikur Fevziu?!
Po sikur Fevziu në vend të dy orave që mban në duar të kishe dy pranga dhe disa brinjë të thyera në një dhomë të errët ku një hetues me kafkë të sheshtë të rrihte për të pranuar gjëra që nuk i ke bërë?!
Po sikur Fevziu pas disa netësh birucë të të mbushnin gojën me kripë dhe mos të të sillnin ujë për ditë të tëra?!
Po sikur Fevziu të lindje në një kamp internimi dhe roja e kampit të të rrihte shpeshherë në të gdhirë të ditës?!
Po sikur Fevziu të jetoje gjithë jetën me sy që të përçmojnë dhe gojë që të fyejnë vetëm se yt atë kish kryer krimin e rëndë që ish shkolluar në Evropë dhe që ish rikthyer në Shqipëri?!
Po sikur Fevziu të digjnin cigare mbi trupin tënd dhe sytë e tu t’i përdornin si hirtore?!
Po sikur Fevziu të shihje nënën e varur me kokë poshtë dhe çizmen e policit mbi fytyrën tënde teksa përpiqeshe dëshpërimisht ta shpëtoje?!
Po sikur Fevziu mos të dije varrin e babës, motrës, nënës?! Mos të dije ku t’i qaje. Mos të dije ku t’i kujtoje.
Po sikur Fevziu të ishe për një çast jashtë ekranit dhe të shihje një Fevzi tjetër që me vullnet dhe me vetëdije të plotë i hedh një grusht kripe plagës sate që ende kullon?!
Që ta respektosh dhimbjen e tjetrit, nuk duhet medoemos ta kesh provuar. Nuk duhet të kesh qenë medoemos i persekutuar, për të respektuar dhe për t’ u përulur para dhimbjes të një persekutuari. Quhet empati Fevziu dhe i shërben çdo njeriu fillimisht për të qenë njeri e mandej një profesionist në fushë të caktuar.
Kujt i shërbeu ajo intervistë?! Ç’mesazh dha?!
Post Scriptum-Nuk mund të fyhen jetët e shkrumbuara për gjysmë shekulli sikundër nuk mund të rehabilitohet figura e një krimineli.