Zjarri në ishullin e Sazanit është vënë nën kontroll ndërsa janë izoluar disa vatra të rrezikshme, bën me dije ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.
Peleshi nuk lë pa ironizuar ata që kanë shprehur shqetësim apo kanë dhënë mendimet e tyre “pa teklif” se si mund të shuhet zjarri, por shton se mendimi i ekspertëve ka më shumë vlerë në këtë rast.
Peleshi gjithashtu shpreh shqetësimin se kjo verë do të jetë e nxehtë dhe do të sjellë probleme me zjarret.
Reagimi i Peleshit:
Në këto momente duket se janë izoluar disa nga vatrat më të rrezikshme të zjarrit në Sazan. Trupat e Forcave të Armatosura po punojnë me përkushtim në kushtet kur ndërhyrja në vatrat e mbetura është e vështirë për shkak të relievit dhe të natës.
Sakrifica dhe profesionalizmi i Forcave te Armatosura meriton mirënjohje.
I vlerësoj të gjitha shqetësimet dhe mendimet e shprehura pa teklif, por ne mbështetemi tek ekspertët e fushës që vlerësojnë se teknika më efikase në rastin e zjarrit në ishullin e Sazanin është izolimi i vatrave duke krijuar breza të shpyllëzuar rreth vatrës.
Me të gjithë partnerët tanë dhe Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile kemi ndërtuar marrëdhënie për të aktivizuar mbështetjen me mjete ajrore shtesë, gjatë stinës së verës, pa humbur kohë nëse do të çmohet e nevojshme nga ekspertët.
Sigurisht prioritet ka mbrojtja e jetës së banorëve dhe më pas e florës e faunës si edhe trashëgimia jonë natyrore e historike.
Fatkeqësisht edhe kjo verë do të jetë shumë e nxehtë . Ne do të jemi përkrah bashkive për të mbështetur përballimin e emergjencave të mundshme. Por kemi nevojë edhe për vullnetarizëm dhe angazhim nga të gjithë për të përballuar së bashku situatat e emergjencave, në vend që t’i ndezim akoma më shumë nga tastiera