Martina Pajollari, një e re nga Maliqi, është arrestuar dje nga Policia pasi grupi hetimor ka siguruar prova që e implikojnë atë në vrasjen e të dashurit të saj, Martin Çeço, më 18 qershor 2022. Ajo dyshohet se ka parë nga afër mbytjen me litar të tij dhe hedhjen në rezervuar.
Më herët, janë arrestuar tre autorët e lidhur direkt me ngjarjen, Bleti Angjo, Valter dhe Edlir Mollaj. Një nga këta shtetas, Valter Mollaj, kishte lidhje intime me Martina Pajollarin, e arrestuar dje nga Policia.
Vetë e reja, kishte në të njëjtën kohë lidhje intime dhe me Martin Çeçon. Kur kjo gjë është zbuluar nga autori i arrestuar Valer Mollaj, vajza i ka thënë se 26 vjeçari që u gjet i pajetë në rezervuarin e Maliqit, e mbante me detyrim.
Ky fakt nuk ka rezultuar i vërtetë, por fatkeqësisht Martin Çeço nuk jeton më. Në bankën e të akuzuarve tashmë janë katër të akuzuar. Nga hetimet e grupit hetimor kanë dalë detaje rrëqethëse për këtë ngjarje, që lidhen me përfshirjen e Martina Pajollarit.
E reja që mbante lidhje të dyfishtë me dy djemtë, ka qenë e pranishme kur Bleti Angjo dhe Valter e Edlir Mollaj kanë thurur planin e vrasjes së 26 vjeçarit Martin Çeço. Po ashtu, rezulton se vajza ka parë nga afër momentin kur i dashuri i saj ka mbytur me litar në qafë të dashurin tjetër dhe e ka hedhur atë në rezervuar.