Nga Lutfi Dervishi
Policia shqiptare arriti sot të neutralizojë një linjë të kontrabandës përmes aksionit të koduar “fake work”.
Në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, duke përdorur metodat speciale të hetimit dhe shërbimet inteligjente, agjentët e policisë arritën sot të vënë në pranga dy shtetas dhe të shpallin në kërkim tre të tjerë për kontrabandën e rrobave të përdorura nga Belgjika në Shqipëri.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5455 kilogram e 374.2 gram rroba të përdorura. Dosja e cila përmban 34 orë përgjime iu përcoll prokurorisë për hetime të mëtejshme.
“Ky është një mesazh i qartë dhe i prerë që i dërgohet krimit të organizuar, tha një oficer i policie në kushtet e anonimatit për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqet hetimi i kësaj çështje.
Nëse trafikantët do të mundnin të hidhnin në treg mallin e tyre, arkës së shtetit do t’i mungonin plot 14 mijë e dy qind lekë dhe duke patur parasysh forcimin e pandalshëm të lekut ndaj euros, dollarit e gjithë valutave të huaja të marra së bashku, dëmi është jashtëzakonisht i lartë- tha prokurori i gatshëm që kreu veprimet e para proceduriale
Aksioni i sotëm, shihet nga vëzhguesit vendorë, si një përpjekje e policisë për t’i treguar ministrit të ri, që pavarësisht temperaturave të larta, gadishmëria e strukturave të rendit mbetet në shkallën maksimale.
Lajmi gjeti pasqyrim të gjerë në shtypin e ditës. Mediat i vunë rëndësi faktit se policia ndihet më e motivuar pas motos së shpallur: “zero tolerancë ndaj paligjshmërisë”
Pyetja e një gazetari se nëse bëhet fjalë për rroba të thara, të lagura, të lara apo të palara, nuk mori përgjigje për shkak të “sekretit hetimor”.
“Jemi në fazën e avancuar të hetimeve, por ende presim të dhënat e mostrave nga një laborator i një vendi partner”- bëri të ditur një zëdhënës i policisë.
Ai shtoi se celularët e trafikantëve të rrobave të përdorura janë dërguar për t’u zbërthyer në një laborator të specializuar në Izrael.
Pas suksesit të arritur në luftën ndaj trafikut ndërkombëtar të drogërave të forta, ndërtimeve të paligjshme, kanabizimit, krimit të organizuar dhe krimit të rrugës, ishte e natyrshme që do t’i vinte radha edhe tregtisë së rrobave të vjetra- tha një ekspert i sigurisë në një studio televizive të një prej 15 televizioneve që japin lajme 24 orë.
“Pritet, vijoi eksperti, që goditjet e policisë të intensifikohen, veçanërisht në krimin e dhënies se rryshfetit ndonjë infermieri apo mjeku. Po ashtu do të shtohen gjobat ndaj këmbësorëve që nuk ecin në vijat e bardha, duke u bërë shkak që shoferët që përdorin “të bardhën” të shkaktojnë aksidente me pasoja të rënda.
Pas suksesit të njohur të operacionit “Forca e ligjit”, operacioni i sotëm “fake ëork” ka rritur ndjeshëm besimin e publikut te policia, besim që ishte lëkundur pas një episodi të shkëputur në Fushë Krujë, ku familjar të një deputeti, goditën dy qytetarë për shkakun e vetëm se “kishin shqetësuar policinë me një denoncim”.
“Me operacionin e sotëm, policia që duam po dëshmon me vepra dhe jo me fjalë, me aksione konkrete dhe jo me propagandë se është ngjitur në nivelin e simotrave të saj europiane dhe më gjerë dhe Shqipëria është një hap tjetër më pranë integrimit europian”- tha një deputet i shumicës në mbledhjen e komisionit të sigurisë në Kuvend, të thirrur posaçërisht për këtë çështje.
Nga ana e vet policia siguroi se operacione të tilla, do të vijojnë dhe do të intensifikohen.