Shefi i organizimit të Partisë Demokratike Klevis Balliu me anë të një deklarate për mediat ditën e sotme ka reaguar mbi ngjarjet e fundit kriminale në vend, ndërsa deklaroi se “marrëveshja kriminale e Edi Ramës me krimin e organizuar për interesa elektorale dhe monetare, ka cënuar sigurinë e jetës së qytetarëve shqiptarë”.
Më tej Balliu shtoi se Policia e Shtetit është në një situatë dramatike dhe në pamundësi totale për t’u përballur me bandat dhe krimin.
Deklarata e plotë:
Marrëveshja kriminale e Edi Ramës me krimin e organizuar për interesa elektorale dhe monetare, ka cënuar sigurinë e jetës së qytetarëve shqiptarë.
Në pak ditë një nga zonat më të populluara në Tiranë, kanë ndodhur dy vrasje, duke vënë në rrezik jetën e familjareve të asaj zone.
Dje në Lushnje bandat kriminale kërcënuan me tritol, dhe vetëm pak minuta më pas një tjetër shpërthim me tritol ndodhi në zonën e Fushë Krujës. Si gjithmonë nuk ka autorë ose ata largohen në drejtim të paditur.
Ndërkaq Policia e Shtetit është në një situatë dramatike dhe në pamundësi totale për t’u përballur me bandat dhe krimin.
Raportet mediatike dhe burimet zyrtare tregojnë se 2 mijë e 500 efektivë policie kanë dhënë dorëheqjen, pasi kushtet në punë janë mjerane.
Ndërkohë këta efektivë policie të ndershëm po zëvendësohen me efektivë të pushtetit, militant dhe patronazhistë të lidhur me bandat e krimit të organizuar.
Në çdo përplasje të bandave dalin efektive policie të implikuar, ata nuk përfaqësojnë Policine e Shtetit por ata përfaqësojnë policine e pushtetit.
Kjo situatë alarmante për sigurinë e jetës së qytetarëve na thërret të gjithëve të reagojmë për të mbrojtur jetën e qytetarëve të ndershëm të vendin tonë.
Me një qeveri që sulmon shtetin ligjor dhe Policinë e Shtetit, për ta zëvendësuar me policinë e pushtetit, Shqipëria dhe shqiptarët janë në rrezik.
Mblidhuni më 12 nëntor për të protestuar për sigurinë e cënuar, policinë e kthyer në ankesë të kuzhinës politike, dhe barrë të tjera në shpinën tuaj, dhuratë e një qeverie që ka kryeministër, por nuk ka krye.