Specialisti i Policisë Rrugore në Policinë e Shtetit, Ervin Dervishi, këshillon drejtuesit e mjeteve që të bëjnë kujdes në ditët e festave.
Në një dalje për mediat ditën e sotme ai tha se sezoni i fundvitit është një sezon i mbushur me festa dhe me plot aktivitete ku nuk mungojnë hareja, organizimet mes miqsh, kolegësh, festat familjare etj, ku për shkak të përdorimit të pijeve alkoolike, shpërqendrimit, shkujdesjes së drejtuesve të mjeteve, jo rrallë herë jemi përballur me aksidente me pasoja fatale për jetën e përdoruesve të rrugës.
Në këtë linjë ai tha se ky është një sezon me një shtim të fluksit të qarkullimit për të gjitha kategoritë e përdoruesve të rrugës.
Dervishi deklaroi se Policia Rrugore u bën thirrje të gjithë përdoruesve të mjeteve të tregojnë kujdes të veçantë në përdorimin e rripave të sigurimit për vete dhe për të gjithë pasagjerët në bord si dhe të kenë kujdes të veçantë ndaj këmbësoreve dhe çiklistëve.
“Të tregojnë mirëkuptim me drejtuesit e tjerë të mjeteve dhe të mos shfaqin sjelle agresive dhe intolerace ndaj tyre. Të evitojnë përdorimin e substancave alkoolike si dhe limitet e shpejtësisë së lejuar. Të mos bëhen shkaktarë dhe burim aksidentesh për shkak të parakalimeve dhe mos qëndrimit në autokolonë kur ka radhë të gjata trafiku. Drejtuesit e mjeteve të shmangin përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të mjetit”, u shpreh Dervishi.
Më tej kërkoi që këmbësorët nga ana e tyre të tregohen të vëmendshëm dhe të kujdesen për vete dhe për fëmijët apo të moshuarit që kanë në krah dhe të respektojnë shenjat e punonjësit të policisë si dhe vendkalimet për këmbësoret.
Aty ku vendkalimet mungojnë, janë të detyruar të presin derisa mjetet t’u japin përparësi atyre tha ai.
Ndërkohë për çiklistët, kujtoi që të përdorin kaskat mbrojtëse për sigurinë e tyre dhe të respektojnë të gjitha rregullat e qarkullimit rrugor ashtu si të gjithë përdoruesit e tjerë të rrugës.
Për motoçiklistët bëri me dije, se e kanë kusht të panegociueshëm mbajtjen e kaskës mbrojtese dhe ndërkohë të jenë të kujdesshëm në respektimin e normave të sjelljes të kodit rrugor.
Po ashtu tha se Policia Rrugore është në detyrë dhe në funksion të rritjes së sigurisë rrugore do të ushtrojë kontrolle të vazhdueshme ndaj të gjithë përdoruesve të rrugës për të gjitha shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor.
“Bashkëpunoni me Policinë rrugore dhe me të gjitha patrullat e policisë, telefononi në numrin 112 për Tiranën dhe 129 për qarqet, për çdo rast nevoje dhe shqetësimi. Nga ana tjetër, mos hezitoni të raportoni çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Denonconi çdo abuzim sado i vogël qoftë nga punonjësi i policisë në detyrë”, tha ndër të tjera.
Ai e mbylli fjalën duke bërë një thirrje për përdoruesit e rrugës, që të shmangin përdorimin e alkoolit, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse, të mos përdorin aparatin telefonik gjatë drejtimit të mjetit dhe të mos shpejtojnë për të arritur aksidentin.