Policia morale e Edi Ramës- Nga Ilir Levonja 

0
11
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Ilir Levonja

Viti 2020, një togë policore mësynte këtu aty për gjoja sekuestrimin e pasurisë së paligjshme. Një bionde, po me flokë të verdha ama, me syze të errëta, kapele bejsbolli, njoftonte programin një ditë më herët. Shoë ishte i garantuar. Kjo në dukje luftonte krimin megjithëse si metodë ishte po aq e paligjshme sa objektet në fjalë. Megjithatë karakteristika e shqiptarëve është të fërkojnë duart. Për ligjin kujtohen kur u bie për pjesë.

Viti 2022, toga të policisë së përmbarimit mbyllin shkolla private me pretekstin se nuk kanë plotësuar kushtet. Po të nisesh me të njëjtat kritere që gjoja i kërkon ministria e arsimit, shkollat shtetërore duhet të mbyllen në masën 90%. Megjithëse viti shkollor 2022-2023 ka filluar, akoma ke shkolla publike, pra shtetërore që nuk janë hapur.

Nga ana tjetër godinat e shkollave, kanë qenë një minierë përfitimi fondesh pafund. Kush vjen nga bota e arsimit e di fare mirë se nuk kalonte një fillim viti pa u bërë punime në shkollë. Diku kish rënë suvaja, diku nuk funksiononin banjot, diku prishur parvazët e shkallëve, diku rrethimi etj. Mjafton dy sekuenca të shohësh nga kjo shkolla Turgut Ozal, janë ambiente farmaceutike. Njëqind herë më të mira se shkollat e Edi Ramë. Dhe në këtë kontekst, jo rastësisht ka rënë numri i studentëve.

Dhe jo rastësisht po mbyllen Fizika dhe Kimia. Megjithatë, sado të përpiqeni ta mbuloni budallallëkun qeveritar, janë qokat karshi Erdoganit. Ju dha spital rajonal në Fier, ju dha dy avionë, ju ndërtoi ca pallate në Laç etj. Erdogani i ka shpallur luftë një teologu me emrin Fetullah Gylen. I trembet si dreqi filozofisë së tij, shkollave të tia ku bën pjesë edhe gjimnazi në fjalë. Fetullah Gyleni dhe shkollat e tia veprojnë sot edhe në Amerikë. Nëse do ishin terroristë Amerika do ua kishte treguar vendin. Nuk e bën. E bëri Shqipëria e arnautit Edi Rama. Dhe mirë ai, po si nuk ju vjen turp ju ajka e mësimdhënies që rrini dhe nuk flisni.

Viti 2022, bota iraniane është sot në një luftë frontale me klanet e pushtetit. Arsyeja, policia morale vrau një shtetase 22 vjeçare për faktin se nga shamia e kokës i kishte rënë mbi ballë një cullufe floku. Shumë habiten kur dëgjojnë se çfarë është policia morale. Një absurditet social i dështimit të një klani pushtetarësh.

Asaj fryme maskiliste që sundon vetëm me dhunë. Në Shqipëri ka pasur tentativa për shaminë e kokës, kjo nga fryma erdoganiste aq sa ka arritur deri në fushata synetllëqesh. Prekjen e laicitetit të shkollës me gjoja zgjedhjet për programe fetare, turqishten etj. Madje ka frymëzime se për t’i shpëtuar sllavizmit shqiptarët duhet të konvertohen 100% në myslimanë etj.

Viti 2022, policia morale e shtetit shqiptar arreston në flagrancë një mjek. Me gjoja agjent të infiltruar etj. Për shkak të një ryshfeti 20 mijë lekësh të reja, apo dyqind mijë, pompoziteti për të treguar forcën. Se në këto 10 vjet qeverisje nuk pamë e dëgjuam sikur një agjent të infiltruar në botën e drogës, të ndërtimeve pa leje, apo pallateve të larta ku gjithë media europiane shkruan se po pastrohen paratë e karteleve të drogës.

Nuk pamë një agjent të infiltruar në korrupsionin galopant të lëvrimit të fondeve për minierën e gjoja përpunimit të mbetjeve urbane, plehrave.

Tani që arrestuat një mjek edhe krimi kibernetik u izolua. Madje grusht bashkuar me Edi Ramën dhe të shkojmë prapë tek godina e re e ambasadës ruse, të vendosim tabelën Ukraina e lirë. Nuk ke çfarë i bën, kjo është Shqipëria vendi që ka për industri, madje tepër të fuqishme, demagogjinë.

Zjarr Tv Ad