Policia Rrugore, ka nisur një aksion gjobash në rrugët e kryeqytetit, ku së fundi është ndalur për 12 orë në “Rrugën e Kavajës”, ku ka ndëshkuar drejtuesit e mjeteve për parkime të gabuara.
“Në 12 orë, janë ndëshkuar 135 automjete të pushuara, në kundërshtim me dispozitat e Kodit Rrugor, në një rrugë e cila, njësoj si ajo e “Myslym Shyrit” shërben si arterie kryesore për lidhjen e zonës së Kombinatit, unazës së madhe dhe asaj të mesme, me unazën e vogël dhe qendrën e Kryeqytetit.
Duke qenë se kjo rrugë përshkohet edhe nga disa linja të rëndësishme të transportit publik qytetas, problematika që shkaktohet nga pushimet dhe qëndrimet e gabuara, është akoma më e madhe, veçanërisht në afërsi të Poliklinikës Nr. 9 dhe pranë xhamisë, ku pushimet në korsitë e lëvizjes, apo në rreshtin e dytë, shkaktojnë pengesa serioze për trafikun në tërësi, si dhe për mjetet e emergjencave mjekësore dhe civile në veçanti”, thotë Policia.
Aksionet në rrugët e Kryeqytetit, kanë nisur pas një urdhëri të Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj.