“Unë mendoj që Kosova është duke humbur kohë, pa nevojë, pa argument politik apo ekonomik, duke i thënë jo ‘Open Balkan’! Unë jam deklaruar pro pjesëmarrjes në ‘Ballkanin e Hapur’. Ky është qëndrim personal imi si nënkryetar i kuvendit të Kosovës, si deputet i Partisë Demokratike të Kosovës. PDK-ja ndërkohë nuk ka qëndrim.
Nga viti 2011 deri në vitin 2017, unë kam kërkuar që Kosova të jetë pjesë e çdo organizate, nisme rajonale. Dua ta them këtu që ta dinë qytetarët shqiptarë kudo që jetojnë. Në vitin 2020, Kosova ka nënshkruar një marrëveshje në Washington me Donald Trump president. E dini që në paragrafin e pestë apo të gjashtë të kësaj marrëveshjeje, shkruan që Kosova zotohet që t’i bashkohet minishengenit të themeluar në tetor të 2019? Do të thotë që formalisht, Kosova është pjesë e kësaj marrëveshjeje. E ka nënshkruar Avdullah Hoti”.
Ish-ministri i punëve të jashtme të Kosovës, në intervistën për emisionin “Top Talk”, shprehet se nuk sheh ndonjë kërcënim real në lidhje me eksportet serbe në Kosovë.
“Unë e shoh faktorin shqiptar në Ballkan, si faktorin Gjerman në Europë. Pse duhet të ketë frikë, nëse Rama është në taki, Abazoviç po ashtu. Mendoj që është politikë e brendshme në Kosovë, ndërkohë që ‘Ballkani i Hapur’ duhet marrë seriozisht”, thotë ai.