Porti i Durrësit, trampolina e preferuar e klandestinëve

0
31
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Nevila Dervishi

Raporti fundit i Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, ka dalë në përfundimin se Shqipëria është kthyer në pikën e preferuar të migrantëve për të kapërcyer portat e Bashkimit Evropian.

Ky raport hedh dritë mbi numrin e errët të flukseve të migrantëve në Shqipëri si dhe çmimet që ata paguajnë për t’u trafikuar. Vetëm në vitin 2020, në pikat kryesore hyrëse të kufirit tokësor shqiptar, të ardhurat nga trafiku i migrantëve vlerësohen në shifrat nga 19.5 deri në 29 milionë euro.

Sipas këtij raporti, pothuaj të gjithë këta migrantë, që futen nga kufijtë tokësorë, së fundmi kanë nisur të parapëlqejnë portin e Durrësit për të çarë portën e BE-së. Që të dy migrantët që ABC kontaktoi në afërsi të portit të Durrësit pohojnë shumën që edhe raporti e konfirmon në shifrat nga 3 mijë deri në 5 mijë euro.

Ata rrëfejnë se vetë trafikantët vijnë e u bëjnë oferta.

“Jam nga Maroku. Kam ardhur nga Turqia, më pas udhëtova në Greqi dhe pastaj në Shqipëri. Kalova nga malet. Kam tentuar disa herë që të largohem nga këtu por më kapën në Bosnje. Aty më kanë dhunuar shumë.

Më pas u ktheva prapë këtu. Këtu ka shumë njerëz që të ofrojnë ndihmën për të kaluar kufirin. Me sa duket i pëlqejnë shumë paratë. Ata vijnë na flasin duke na pyetur nëse duam të shkojmë në Itali. Kam gjetur një person që kërkon 3000 euro për të më ndihmuar të shkojë në Itali, nuk ia di emrin, kam folur vetëm një herë me të.

Erdhi ai që më kontaktoi, me sa duket më dalloi ngaqë jam ndryshe në pamje. Po qëndroj këtu sepse mendoj se porti është shans i mirë për mua,” tregon Jusufi.

 

“Jam sirian.Po qëndroj këtu sepse në Serbi më kanë kërkuar shumë para për të shkuar në Europë. Këtu kam folur me shumë persona që mund të më ndihmojnë. I fundit që kam folur më ka kërkuar 4500 euro. U nisa një herë nga porti por më kapi policia. Pastaj më la të lirë. Tani po mendoj të tentoj përsëri.

Njerëzit në Shqipëri janë të mirë, të ndihmojnë. Nëse do kisha mundësi punësimi mund të jetoja këtu por është pamundur. Unë dua të shkoj në Gjermani, aty i merr shumë shpejt letrat, ” shprehet Abarfi.

Jusufi nga Maroku dhe Abarf nga Siria, tregojnë para kamerës se shumica e bashkudhëtarëve të tyre ja dolën mbanë të niseshin për në Itali gjatë periudhës së zgjedhjeve, ku, sa duket, policinë e kishin angazhuar me të tjera probleme.

Aktualisht migrantët e huaj që tentojnë të marrin një biletë udhëtimi, nga Durrësi në brigjet italiane, janë të shumtë dhe pothuaj të gjithë në pritje të mbërritjes së të hollave nga familjarët për të paguar trafikantët.

“Këtu jetoj keq, në rrugë. Por jam ok, zoti më ndihmon… Xhamia na ndihmon, na jep ushqim. Policia më ka kapur njëherë në rrugë se kisha shkelur orën policore, më fotografuan dhe më morën shenjat e gishtave, më mbajtën një natë në qeli, pastaj më lëshuan.”

“Këtu jam në vështirësi, gjej ushqim ku të mundem për të fjetur fle në ndërtesat e vjetra, ku s’ka njeri. Kam dëgjuar për ndërtesat e dëmtuara nga tërmeti por nuk kam zgjidhje tjetër.”

Më këtë kategori migrantësh, policia shqiptare është mjaftuar me shoqërimin dhe regjistrimin e të dhënave personale, përfshirë gjurmët e gishtave.

Por menjëherë më pas janë lënë të lirë. Për të gjitha këto shkaqe, Shqipëria përherë e më tepër është duke u konceptuar nga migrantët si vendi me oportunitetin më të madh.

Sipas raportit të Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar migrantët mbërrijnë në Shqipëri, më së shumti përmes pikave të kalimit tokësor të Kakavijës dhe Kapshticës.

Disa prej tyre i shpëtojnë policisë, të tjerë ngecin në rrjetën e autoriteteve. Salman dhe familja e tij të kapur nga policia, janë të sistemuar në qendrat e pranimit.

Ne erdhëm nga Afganistani në Shqipëri nga rrugë të paligjshme. Një djalë na ndihmoi të vinim në Shqipëri. Gjithçka u organizua nga babai im por nuk e di sa pagoi ai që ne të vinim deri këtu.

Ne duam të bashkohemi më babin tonë dhe familjen të cilët ndodhen në Tiranë. Këtu jemi trajtuar mirë, nuk kemi pasur probleme me policinë, ne duam vetëm të bashkohemi me familjen tonë.

Ndërkohë policia deklaron se ka gjithçka nën kontroll.

Drejtues Ylli Kumrija, Shef i Sektorit për Imigracionin, shprehet: “Nëse konstatohet një i huaj i cili ka hyrë në mënyrë të parregullt në teritorin e shqipërisë, ai merret dhe shoqërohet në stacionin e policisë kufitare të Kapshticës. Në vazhdim i ofrohet asistenca e nevojshme, duhet të trajtohet nga pikëpamja e asistencës shëndetësore dhe gjithcka tjetër parësore.

Në vazhdim bëhet subjekt i procedurës së përzgjedhjes që përfshin regjistrimin, identifikimin dhe kategorizimin e tij për të parë pritshmërisë e tij. Procesi i përzgjedhjes përcakton disa kategori të migrantit. Kjo bëhet nga strukturat e policisë kufitare.

Mbasi përcaktohet si e tillë mund të përbëjë subjekt i trajtimit në qendër dhe dëbimit nga territori, por njëkohësisht mund të bëhen subjekt i largimit të territorit në mënyrë vullnetare. Në kuadër të procedimit për largim nga territori, mbi bazën e dokumentacionit që disponojnë emigrantët bëjmë kërkesat e ripranimit pranë autoriteteve greke.”

“Nëse do t’i referohem shifrave në disa vite mund të theksojmë që kjemi në një trend ulës. Viti 2019 kemi pasur 11 890 emigrantë të kapur dhe konstatuar në territor, nga të cilët 6706 azilkërkues. Në vitin 2020 kemi trend rritës të emigrantëve të kapur që është 18843 nga të cilët 2208 azilkërkues.”

Gjatë tremujorit të vitit 2021 rezultojnë 2364 imigrantë të parregullt nga të cilët 21 azilkërkues.

Sipas Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, numri i migrantëve të parregullt të kapur në kufirin e gjelbër në muajt e parë të këtij viti është rreth 3044 persona.

Që migrantët e ardhur nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut e përdorin Shqipërinë si trampolinë, këtë e vërteton edhe fakti se sot qendra e hospitalizimit të azilantëve në Tiranë është bosh.

Aktualisht aty gjendet vetëm një familje siriane.

Sipas shifrave të Ministrisë së Brendshme në vitin 2020 në Shqipëri kanë kërkuar azil 2232 persona.

Këto kërkesa kanë kulmuar në vitin 2019.

Edhe pse policia e ka kuptuar trukun e përdorimit të azilit si mundësi për të shkuar në Bashkimin Evropian, edhe pse tashmë përfitimi i azilit është vështirësuar, kjo nuk ka ndaluar askënd që të realizojë qëllimin final.

Në këtë mënyrë shifrat marramendëse prej dhjetëra miliona eurosh të raportit të Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar provojnë se në territorin shqiptar, përfituesit nga trafiku i migrantëve, janë përfshirë në një biznes fitimprurës. /abcnews.al/

Zjarr Tv Ad