PPP-ve po u del tymi i zi!

0
40
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Në Shqipëri, Projektet e Partneritetit Publik-Privat (PPP-të) po zbatohen gjerësisht vitet e fundit, por në pjesën më të madhe, këto projekte kanë hapur shumë debate, teksa institucionet ndërkombëtare dhe ekspertët e kanë shprehur hapur shqetësimin e tyre për risqet ndaj të cilave ekspozohen financat publike, pasi bartin një sërë problematikash:

-Së pari, PPP-të, në mënyrën si janë konceptuar dhe administruar në Shqipëri, janë shndërruar në një borxh të fshehur. Standardet më të mira ndërkombëtare kërkojnë që kompanitë private të financojnë e ndërtojnë një vepër publike me fondet e tyre, dhe më pas, ta menaxhojnë atë për një periudhë të caktuar kohore, duke nxjerrë fitimin përkatës.

Në këtë rast, privati merr përsipër riskun, ndërsa publiku fiton një vepër infrastrukturore pas disa vitesh. Ndryshe ndodh në Shqipëri. Në shumicën e kontratave, privati investon kapitalin e tij, por qeveria fillon e shpaguan menjëherë sipas një skeme të paracaktuar. Ky detyrim është i ngjashëm me interesat që paguhen ndaj borxhit publik, por Ministria e Financave llogarit në shpenzime vetëm pagesat e vitit përkatës që kryhen për kontratat koncesionare.

-Së dyti, angazhimi i qeverisë në këto projekte ka marrë përmasa të paqëndrueshme, i ndihmuar dhe nga mosllogaritja e tyre si borxh. Vlerësimet paraprake nga të dhënat e Financave janë që PPP-të kanë arritur në 9-10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), që janë llogari jashtë bilancit dhe nuk reflektohen në treguesin e borxhit publik. Kjo peshë e PPP-ve, sipas Eurostat, e rendit Shqipërinë me nivelin më të lartë në Europë dhe me distancë të konsiderueshme, me tre herë më shumë, ndaj shtetit të dytë pas nesh, që është Sllovenia.

– Së treti, mungesa e transparencës. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kritikuar shpesh qeverinë shqiptare për mënyrën se si po i përdor fondet buxhetore për të financuar koncesionet me Partneritet Publik-Privat. Informacioni i kufizuar mbi ekspozimin e vërtetë të qeverisë ndaj PPP-ve është një sfidë kryesore, tha FMN në raportin e fundit për Shqipërinë/Standart

Zjarr Tv Ad