Në prag të sezonit të ri futbollistik që do të nisë në datën 20 gusht, Sektori i Arbitrimit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka nisur përgatitjet me të gjithë arbitrat dhe asistentët e kampionatit “Abissnet Superiore”, me qëllim përmirësimin e nivelit të arbitrimit në futbollin shqiptar.
Prej ditës së sotme, Sektori i Arbitrimit ka nisur me seminaret, që do të zgjasin për tre ditë me radhë dhe ku të gjithë arbitrat dhe asistentët pjesëmarrës do të fokusohen jo vetëm në pjesën teorike, duke analizuar aspekte të ndryshme të arbitrimit dhe duke u përditësuar me ndryshimet në rregulloren e arbitrimit, por do të zhvillojnë edhe testet fizike.
Në këto seminare do të marrin pjesë lektorë shqiptarë e të huaj, teksa bie në sy edhe pjesëmarrja e drejtorit teknik të IFAB (Bordi i Shoqatës Ndërkombëtare të Futbollit), David Elleray, njëkohësisht edhe anëtar i Komitetit të Arbitrave i UEFA-s, Giovanni Stevanato, Presidenti i Komitetit Rajonal të Gjyqtarëve të Venetos, si edhe Drejtori i Shkollës së Trajnerëve në FSHF, Sulejman Starova, Drejtori i Departamentit Ligjor Dhe Licensimit në FSHF, Aldi Topçiu, Shefi i Sektorit të Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci.
Arbitrat dhe asistentët do të kenë mundësi të mësojnë rreth temave të ndryshme në këtë program, që nga njohuritë bazë se si përgatitet një ndeshje futbolli, tek integriteti i lojës e rregullorja e Arbitrimit. Ata do t’i nënshtrohen testeve teorike pas çdo leksioni të marrë, ku do të vihen në provë njohuritë e tyre, ndërsa do të zhvillojnë edhe teste fizike në terren.
Testimet teorike dhe fizike janë dy procese mjaft të rëndësishme për çdo arbitër dhe asistent-arbitër që aspiron të jetë pjesë e trupës së arbitrimit në futboll.