Preç Zogaj quan “puç” Kuvendin e Berishës: I vuri kazmën Statutit të PD! Nesër Lulzim Basha mblidhet pa hijen e ish-kryetarit

0
64
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Analisti Preç Zogaj e quan “puç institucional” Kuvendin e datës 11 dhjetor që u mbajt në Tiranë dhe u thirr nga ish-kryeministri Sali Berisha. Sipas tij, Berisha i vuri kazmën ligjit themeltar të Partisë Demokratike nga kalon legjitimiteti i çdo vendimi që ka të bëjë me jetën e saj të brendshme.

“… Berisha i dha zotit Basha gjithë argumentet për t’i refuzuar e shpallur të paligjshme vendimet që u morën në stadium. Nuk i di arsyet pse i vuri kazmën në ketë mënyrë ligjit themeltar të Partisë Demokratike nga kalon legjitimiteti i çdo vendimi që ka të bëjë me jetën e saj të brendshme. Ndoshta nisur nga ideja se po udhëhiqte një revolucion që i shkruan rregullat nga e para. Ndoshta për të mbajtur hapur planin B të themelimit të një partie të re “sovraniste”, nëse nuk arrin të marrë të rithemeluar Partinë Demokratike.

Ndoshta për të ruajtur gjendjen e një ndarjeje të papërfunduar, duke dashur të fitojë kohë, në pritje të zhvillimeve që do ta lejonin të guxonte marrjen e lidershipit të ndonjë subjekti politik, ndërsa ka frikë ta marrë tani sepse do t’u përçonte menjëherë “non grata”-n e tij zëvendësve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Rruga që ka ndjekur Berisha është rruga tipike e puçeve institucionale me “mbështetje nga shumica”. E gjithë kjo nën tamtamet “teorive” vendore të momentit, sipas të cilave demokracia nuk është procedurë! Edhe diktaturat dhe diktatorët referojnë shumicën, vijën e masave”, shkruan Zogaj ndër të tjera në komentin e tij për Panoramën.

Më tej, ai thotë se Kuvendi i nesërm i thirrur nga Lulzim Basha e gjen PD-në të rikthyer në marrëdhëniet e bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për kryetarin aktual të PD thotë se është Kuvendi i parë për të,  pa dualizmin, dublimin dhe hijezimin e lidershipit të tij nga Berisha.

“Ky është Kuvendi i parë Kombëtar i Lulzim Bashës pa dualizmin, dublimin dhe hijezimin e lidershipit të tij nga zoti Berisha. Është Kuvendi i parë pas shumë vitesh që e gjen PD-në të rikthyer në marrëdhëniet e bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të dyja këto janë premisa të forta për suksesin e PD-së në zgjedhje. Po jo vetë suksesi, jo vetë fitorja. Fitorja kërkon punë, kërkon shumë gjëra. Nëse koha e Bashës si kryetar i çliruar nga gjylet e dualizmit dhe pengesave amerikane ka nisur të shënojë në datën 9 shtator të këtij viti, ai duhet ta demonstrojë në Kuvend këtë risi.

Pikësëpari në shndërrimin e Kuvendit në një aulë shembullore të manifestimit të lirisë, arsyes, etikës, tolerancës, respektit, qytetarisë e vlerave të tjera të demokracisë. Së dyti, në demonstrimin e projektit të modernizimit të PD-së, duke integruar propozimet racionale të kundërshtarëve të tij në parti dhe të asaj pjesë të anëtarësisë që konteston lidershipin e tij”, shton analisti Preç Zogaj.

Zjarr Tv Ad