Më poshtë në shënimin e tij Basha, jep edhe zgjidhjen sipas tij: “Fundi i kësaj katastrofe kombëtare, kërkon një përballje frontale me korrupsionin, duke thyer bashkëpunimin mes politikës, krimit dhe oligarkisë, që ka shkërmoqur demokracinë dhe po mbyt të ardhmen e Shqipërisë duke e bërë të pajetueshme për familjet shqiptare. #vettingnëpolitikë”.
Tetë vite rresht e ka akuzuar në publik Basha qeverisjen e Ramës, për korrupsion madhor dhe lidhje me krimin dhe oligarkët dhe për 8 vite e katër palë zgjedhje, ka bërë “një vrimë në ujë”. Përse do ndryshojë tani situata?! Se duhet të ikë Sali Berisha, apo se gjykata me votat edhe të PS-së, do të hetojë politikanët me të cilët Basha bie dakord ditën e më shumë natën, që të ndryshojnë Kushtetutën e të bëjnë të tjera marrëveshje?!
Rama, krimi, oligarkët e lidhjet e tyre janë ato që kanë 8 vite e më shumë që funksionojnë të qetë dhe rehat. Ata “në punën” e tyre të grabitjes së shqiptarëve, janë në rregull. E vetmja gjë që nuk është në rregull në këtë vend ku mafia dhe korrup*sionit ka qeverinë e vetë, është lidershipi i opozitës.
Lulzim Basha pra, i cili njësoj si ai idioti i Ajshtajnit bën (ose bën sikur bën) pafundësisht të njëjtin eksperiment, por shpreson që të marrë në fund një rezultat të ndryshëm! Ndaj ka ardhur koha që kjo klepto-krimo-kraci të ketë përballë një tjetër lloj opozite.
Përndryshe “masakra si ajo e 25 prillit” dhe vendin e parë në Europë si azilkërkues, do ta kemi deri sa Edi Rama të plaket bashkë me Luli Bashën dhe një ditë të vendosin të “heqin dorë” e të lozin Domino. Se në Shah, tashmë dihet se kush fiton!