‘Preket drejtpërdrejt rroga e kryetarit të KLSH-së’/ Magjistratët sfidojnë me gjyq Qeverinë për rritjen e pagës bazë, kërkohen 20 milionë USD nga buxheti

0
13
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Një rekomandim i KLSH-së për përllogaritjen gabim të pagës bazë nxiti rreth 150 magjistratë që t’i drejtoheshin gjykatës për të fituar 14 mijë lekë shtesë në muaj – me një efekt që parashikohet të kapë vlerën e 20 milionë USD për buxhetin e shtetit. Qeveria dhe Kuvendi refuzojnë zbatimin e këtyre vendimeve, duke e çuar përplasjen në Gjykatën Kushtetuese.

Në njërën prej dëgjesave me institucionet e pavarura në Komisionin e Çështjeve Ligjore për projekt-buxhetin 2023, kryetarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Pamela Qirko, kërkoi një shtesë fondi prej 45 milionë lekësh me argumentin se nevojitej për përballimin e shtesës së pagës bruto të komisionerëve dhe këshilltarëve ligjorë.

Qirko iu referua shkurtimisht “disa vendimeve gjyqësore” që kishin sjellë si pasojë një përllogaritje të re të pagës së magjistratëve.

Kërkesa u kundërshtua nga kryetarja e komisionit, Klotilda Bushka, e cila tha se vendimet e gjykatave nuk mund të përcaktojnë vendimmarrjen e Kuvendit dhe se paga e magjistratëve vendoset nëpërmjet akteve ligjore.

Objekti i debatit në komision mbeti i paqartë, por të dhënat e siguruara nga BIRN, ekspozojnë një betejë ligjore që po zhvillohet prej dy vitesh në prapaskenë mes sistemit të drejtësisë dhe ekzekutivit për rritjen e pagës referencë të magjistratëve – bazuar në parashikimet kontradiktore të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve..”.

Qeveria i ka kundërshtuar kërkesat për rishikimin e pagës referencë me argumentin se do të krijonte ‘efekte të papërballueshme për buxhetin e shtetit’ me një vlerë të përllogaritur në 20 milionë USD.

Megjithatë, dhjetra magjistratë i janë drejtuar tashmë gjykatës dhe disa prej tyre i kanë fituar gjyqet, duke parashikuar një efekt domino për të gjithë sistemin e drejtësisë.

BIRN mësoi se janë 76 kërkesë-padi të 150 magjistratëve, individuale apo kolektive, që janë paraqitur në Gjykatën Administrative të Shkallës së parë Tiranë me objekt të njëjtë; “përfitim të pagës bruto në masën 132.100 lekë”.

Beteja në gjykatë është fituar tashmë nga magjistratët; nga 30 kërkesë padi të shqyrtuara, për 14 është vendosur pranimi i kërkesë-padisë, ndërsa për 16 të tjera është vendosur pushimi i çështjes si rrjedhojë e një vendimi të KLGJ-së që u njeh të drejtën e përfitimit të pagës së re.

Sipas nenit 12 të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve…”, paga mujore bruto e magjistratit përbëhet nga paga referuese bazë, e njëjtë me pozicionin e drejtorit të drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri, plus shtesën për pagën në grup si dhe shtesa të tjera për vjetërsi, për pozicion drejtues apo vështirësi në punë.

Por në janar 2021, një raport auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit konstatoi se përllogaritja e pagave të magjistratëve ishte bërë gabim dhe i rekomandoi Këshillit të Lartë Gjyqësor që të ribënte përllogaritjen e pagës bruto.

Gabimi, sipas KLSH-së, u ka mohuar gjyqtarëve 14 mijë lekë në muaj dhe se paga referencë e tyre duhet të ishte 132.100 lekë nga 118.000 lekë që ishte llogaritur deri në atë kohë. KLSH-ja e bëri përllogaritjen e re duke u bazuar në një Vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 2017 për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të nëpunësve civilë.

Pas këtij rekomandimi, KLGJ vendosi në dijeni Ministrinë e Financave dhe i kërkoi fond shtesë në masën 476 milionë lekë për përballimin e efekteve prapavepruese në buxhet.

Ministria e Financave e refuzoi kërkesën, duke e cilësuar atë me “efekte të papërballueshme” për buxhetin e shtetit dhe me një argumentim 2 faqesh, kundërshton interpretimin e bërë nga KLSH-ja, duke e cilësuar atë një keqkuptim ligjor të terminologjisë “pagë e funksionit”.

Me anë të një letre që disponohet nga BIRN, Ministria e Financave shprehet se “rekomandimi nuk qëndron dhe nuk mund të zbatohet, pasi mbështetet në një interpretim të gabuar të përcaktimeve ligjore dhe nënligjore…” dhe përfundon arsyetimin se “buxheti miratohet nga parlamenti dhe nuk mund të ndryshohet pa vendim të tij”.

Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Financave i tha BIRN në kushtet e anonimatit se këto vendime gjykatash kanë efekt domino dhe përfshijnë një kategori të madhe punonjësish që kanë statusin magjistrat, gjyqtarë, prokurorë dhe çdo pozicion pune në çdo institucion tjetër. “Me llogaritjet që ka bërë ministria për efektet e zbatimit të këtyre vendimeve, shuma totale shkon në 2 miliardë lekë të reja,” tha zyrtari.

Pasi u njoh me problematikën, Komisioni Parlamentar i Ligjeve nxitoi të ndryshonte nenin përkatës në ligjin “Për statusin…”në prill 2021, duke e formuluar në mënyrë të atillë që të mos linte vend për interpretim.

Por deri në nëntor të atij viti, rreth 150 gjyqtarë i ishin drejtuar Gjykatës Administrative të Tiranës për të detyruan KLGJ-në që t’u njohë shtesën në pagë sipas rekomandimit dhe përllogaritjes së bërë nga KLSH-ja.

Të gjitha vendimet e marra deri në korrik 2022 janë në favor të gjyqtarëve, të formës së prerë dhe me ekzekutim të menjëhershëm, duke e vendosur KLGJ-në para përgjegjësisë ligjore.

Në mbledhjen e datës 27 korrik 2022, KLGJ mori vendim për pranimin e rekomandimit të KLSH-së, duke u njohur jo vetëm gjyqtarëve, por edhe këshilltarëve ligjorë të Gjykatës së Lartë pagën bruto në masën 132,100 lekë.

Efekti financiar prapaveprues llogaritet për periudhën 1 janar 2019 deri 28 maj 2021, kur kanë hyrë në fuqi ndryshimet në ligj të bëra nga Kuvendi, por në mbledhje dhe në vendim nuk jepet një shifër buxhetore të kostove për këtë shtesë në pagë.

Gjatë mbledhjes së KLGJ, kryetarja Naureda Llagami e quajti vendimin të detyruar dhe theksoi se impakti financiar është i madh dhe i kundërshtuar nga Ministria e Financave.

“Këshilli në fakt është në një pozicion ku tashmë të gjitha këto vendime janë të formës së prerë dhe me ekzekutim të menjëhershëm,” tha Llagami në mbledhje, duke shtuar se Këshilli është vënë para përgjegjësisë që duhet të veprojë shpejt me ekzekutimet e vendimeve.

“Është një lloj situate që çdo ditë që kalon vjen dhe administrojmë vendime të formës së prerë nga magjistratët,” thekson ajo, duke kërkuar që drejtoria e buxhetit të adresojë përmbushjen e detyrimeve që lindin për secilën gjykatë.

Gjithsesi, në dëgjesën për buxhetin në Komision të Ligjeve, Llagami nuk e ngriti këtë çështje dhe nuk kërkoi buxhet shtesë nga Kuvendi për zbatimin e këtij vendimi.

Nuk është e qartë se si KLGJ do e zbatojë këtë vendim pa fondet buxhetore, ndërsa qeveria nuk e ka marrë parasysh në projekt-buxhet efektin financiar.

Beteja ligjore në Kushtetuese

Ndërkohë, gjyqtarët kanë vendosur ta çojnë më tej betejën për të përfituar në mënyrë të përhershme këtë shtesë page, duke kërkuar në Gjykatën Kushtetuese shfuqizimin e nenit për pagat të ndryshuar nga Kuvendi në prill 2021.

Unioni i Gjyqtarëve, që ka depozituar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese, pretendon se KLGJ i ka devijuar detyrimit ligjor për zbatimin e rekomandimit të KLSH-së për rillogaritjen e pagës së magjistratëve dhe se deputetët kanë ndërhyrë në ligj me qëllim formulimin e tij sipas përllogaritjeve të ‘gabuara’ të KLGJ-së përpara auditit.

“Edhe pse dispozita ishte e qartë, u realizua formulimi i saj sipas mënyrës së gabuar që ishte zbatuar dispozita e mëparshme, duke ulur pagën e magjistratëve,” thuhet në kërkesën e Unionit.

Gjyqtarët e quajnë këtë ndërhyrje antikushtetuese, cënim të statusit të magjistratit dhe të pavarësisë së gjyqësorit.

Por në mbrojtjen e përgatitur për seancën e parë në Gjykatën Kushtetuese që pritet të mbahet me 15 nëntor, Kuvendi pretendon se kërkesa e gjyqtarëve është e pabazuar dhe se vullneti i ligjvënësit ka qenë i qartë dhe i saktë në përllogaritjen e pagës së magjistratëve që në momentin kur janë hartuar ligjet e “Reformës në drejtësi”.

Mbrojtja e Kuvendit, të cilin BIRN e disponon, i referohet dokumenteve përgatitore të ligjeve dhe komunikimit mes parlamentit dhe Këshillit të Ministrave për përllogaritjet e efekteve në buxhet të pagave të reja të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ku referohet shifra 118.000 si pagë bazë në mënyrë eksplicite.

Në arsyetimin ligjor, Kuvendi fokusohet gjatë tek rekomandimi i KLSH-së, nga ku edhe buroi përplasja ligjore, duke e cilësuar këtë rekomandin “jodetyrues” për institucionet dhe në konflikt interesi të hapur, pasi ndryshimi i përllogaritjes prek drejtpërdrejt pagën e kryetarit të KLSH-së.

“Lëvizja e pagës për një kategori gjyqtarësh passjell dhe lëvizje për pagat e gjyqtarëve të çdo niveli. Kjo do të thotë që preket dhe paga e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe ndikimi në këtë skemë sjell ndikim në vetë pagën e kryetarit të KLSH-së,” thotë Kuvendi, duke iu referuar ligjit përkatës që e barazon pagën e kryetarit të KLSH-së me atë të kryetarit të Gjykatës së Lartë.

Lidhur me këtë përballje në Gjykatën Kushtetuese, kryetarja e komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, i tha BIRN-it se vullneti i ligjvënësit kur ka miratuar ligjet e reformës në drejtësi ka qenë shumë i qartë dhe nuk mund të ndryshohet me vendime të gjykatave dhe as me rekomandime të KLSH-së.

“Ne e riformuluam nenin për të mos lënë vend për keqinterpretim, por gjatë miratimit të ligjit në vitin 2016 është ndjekur një praktikë ligjore e plotë, ku shprehet qartësisht përllogaritja e pagës,” tha Bushka.

Gjatë seancave dëgjimore me institucionet e drejtësisë, Bushka u sugjeroi atyre që të mos aplikojnë referenca të reja për pagat në projektligjin e buxhetit 2023, derisa Kuvendi të marrë një vendim dhe çështja të marrë përgjigje nga Gjykata Kushtetuese.

BIRN

Zjarr Tv Ad