Presidenca gjermane e BE, Gjosha: Qeveria të dalë me një plan konkret për kushtet e Bundestagut

0
15

Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, i bëri sot thirrje qeverisë shqiptare të dalë sa më parë në një plan konkret për plotësimin e kushteve, të cilat duhet të kenë një afat kohor sa më të afërt, sepse sipas saj koha nuk pret.Në një deklaratë për mediat, Gjosha tha se kënga e kushteve nuk është e opozitës, por është këngë e kompozuar nga papërgjegjshmëria, nga keqqeverisja, arroganca dhe mohimi i realitetit që i bën qeveria pikërisht kushteve të vendosura nga vetë BE.“Perspektiva evropiane e Shqipërisë për ne është e panegociueshme dhe do të mbetet një prioritet deri në anëtarësimin e plotë të vendit” tha ajo.Ish-deputetja e LSI-së vlerësoi se marrja e presidencës së BE nga Gjermania është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme  për muajt e ardhshëm të vetë BE-së, si për daljen nga kriza, nga pandemia, nga recesioni ekonomik  ashtu edhe për perspektivën evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Gjosha: Lëvizja Socialiste për Integrim i uron suksese presidencës gjermane dhe realisht besojmë në përballimin e sfidave të përbashkëta që kanë trazuar ujërat e botës ku ne jetojmë.  Duke u ndalur te presidenca gjermane nuk mund të qëndroj pa tërhequr vëmendjen e kushteve të Bundestagut dhe rëndësinë e madhe që ato kanë për çeljen e negociatave të Shqipërisë. Rikujtoj kushtet e domosdoshme deri në konferencën e parë, si ngritja e Gjykatës Kushtetuese, ngritja e Gjykatës së Lartë, përfundimin sa më parë të Reformës Zgjedhore, rishikimin e Legjislacionit të Medias në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias, uljen e numrit të azilkërkuesve shqiptarë në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe ndërtimin e të dhënave dhe rezultateve konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.Shqipëria ka gjithashtu mbi supe edhe disa kushte të tjera, të cilat duhet të realizohen sa më parë dhe që kanë të bëjnë me çështje thelbësore të funksionimit të demokracisë në vend dhe të shtetit të së drejtës. Implementimi i zgjedhjeve, ligjshmëria apo jo e votimeve të 30 qershorit, ndëshkimi i krimit zgjedhor, janë një sërë çështjesh që mbajnë sot pezull të ardhmen e vendit. Vendimi i fundit i Parlamentit Evropian për të vendosur 15 kushte para konferencës së parë, është një tregues i qartë i humbjes së durimit nga BE për shpërfilljen që i bën qeveria shqiptare prioriteteve kyçe dhe vlerave thelbësore të Bashkimit Evropian.