“Mendoj që çdo emër që ka dalë është spekulim, njeriu që ka në dorë dhe gurin dhe arrën ka një kënaqësi perverse ta ruajë deri në momentin e fundit, emrin. Është një njeri që do të dalë nga shtrati politik i Edi Ramës, ndaj të gjitha emrat që kanë dalë janë spekulime.”
Kështu u shpreh mbrëmjen e djeshme analisti Andi Bushati në “OPEN”, teksa fliste për emrin që socialistët do të propozojnë nesër për kreun e ri të shtetit. Sekretari Organizativ i PS, Blendi Klosi e quajti të papërshtatshme gjuhën e përdorur nga Bushati.
Andi Bushati: Mendoj që çdo emër që ka dalë është spekulim, njeriu që ka në dorë dhe gurin dhe arrën ka një kënaqësi perverse ta ruajë deri në momentin e fundit, emrin. Është një njeri që do të dalë nga shtrati politik i Edi Ramës, ndaj të gjitha emrat që kanë dalë janë spekulime. Emri do të jetë nga mënga…
Problemi qëndron në faktin se do të ishte hipokrizi ti kërkoje Ramës të mos vinte atje kukullën e vet, por të paktën para zgjedhjes këtë kukull t’ja linte shqiptarëve, bën apo nuk bën,.. Të caktohet emri sot dhe të votohet nesër është kulmi dhe më kujton ato ministre që thonin e morëm vesh nga televizioni. Do e dijë ditëziu që e kanë caktuar president apo do ta marrë vesh nga TV.
Blendi Klosi: Unë e mendoja çfarë do të thoshte Bushati, nuk është gjë e re. Ju mund të bëni komente, por ajo mënyrë na ka bërë ne fitues. Fjalët e përdorura nga ju nuk janë të përshtatshme për televizionin.
Politikani socialist u pyet dhe për emrat e Ardian Dvoranit dhe Majlinda Bregut, si kandidate potenciale për emrin e Presidentit të ri të Republikës. Klosi tha se të dy këta persona i përmbushin kriteret e përcaktuara nga Kushtetuta.
Blendi Klosi: Posti i Presidentit është politik, e duhet të jetë një njeri që është pjesë e debatit publik. Duhet një njeri që ka postin e Presidentit një hap më lart në karrierën e tij. Duhet pasur garanci. Dy emrat që përmendët, i plotësojnë këto kritere. Jo vetëm ne deputetët që do të votojnë, por të gjithë njohin kurrikulën e Majlinda Bregut dhe jetën profesionale të Dvoranit, që u shfaq një kampion i anti-korrupsionit.