Presidenti i sapobetuar i Ukrainës shpalli të hënën shkrirjen e parlamentit në mënyrë që kauza e tij parësore anti-korrupsion të mos lihet në duart e të besuarve të paraardhësit të tij.
Presidenti i sapozgjedhur i Ukrainës, Volodimir Zelenski, përdori ceremoninë formale të inaugurimit të tij për të shpallur të hënën shkrirjen e parlamentit dhe zgjedhjet e reja kombëtare.
Ai apeloi deputetët aktualë që në dy muajt e ardhshëm përpara zgjedhjeve, të miratojnë një ligj për të hequr dorë vullnetarisht nga imuniteti politik dhe për t’iu nënshtruar hetimeve penale, si edhe të ndalojnë me ligj pasurimin e paligjshëm të zyrtarëve shtetërorë.
Rishtari politik iu drejtua me ironi ligjvënësve se po t’i kalonin këto dy ligje, do u jepte atyre nga një medalje.
Zelenski tha se në mandatin e tij të parë, përparësi kryesore do i jepet zgjidhjes së konfliktit në Ukrainën Lindore.
Përplasjet me rebelët pro-rusë prej vitit 2014 u kanë shkaktuar jetën mbi 13 mijë personave.
Ai shtoi se kërkon të arrijë armëpushim me Rusinë dhe të rifitojë territoret e humbura, por që të ulet në dialog duhet fillimisht që pala tjetër të kthejë në vend të gjithë burgosurit ukrainas.
Presidenti rus Vladimir Putin tha të hënën se ishte e interesuar të normalizonte raportet me Ukrainën, ndërsa theksoi se nuk do e urojë presidentin e sapozgjedhur ukrainas për postin e ri.
Zelenski një muaj më parë fitoi votën plebishitare përballë ish-presidentit Petro Poroshenko me kauzën e anti-korrupsionit, megjithatë partia e tij e re nuk ka përfaqësues në parlament.