Presidenti Ilir Meta i jep titullin “Nderi Kombit”, arkeologut dhe politikanit Neritan Ceka

0
140
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Me rastin e 80-vjetorit të lindjes, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi arkeologun, politikanin dhe diplomatin e shquar Neritan Ceka, me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.

Sipas Presidencës, ky akordim u bë me motivacionin: “Në vlerësim të veprës së çmuar dhe punës së palodhur si shkencëtar dhe arkeolog i përkushtuar në ndriçimin, vënien në dukje, ruajtjen dhe promovimin e thesareve të rralla të trojeve tona, të historisë së lashtë, gërmimeve intensive e afatgjata të qytetërimit ilir. Me mirënjohje të lartë shtetërore për kontributet e vyera e të pamohueshme, si politikan aktiv dhe diplomat, qysh në shembjen e diktaturës, vendosjen e sistemit pluripartiak si dhe më pas, në konsolidimin e institucioneve të reja demokratike në vendin tonë ”.

Në fjalën e përshëndetëse drejtuar familjarëve, kolegëve dhe personaliteteve të pranishëm në ceremoni, Presidenti Meta u shpreh: “Është kënaqësi e madhe, që në ditën e 80-vjetorit të lindjes së tij, të vlerësoj një nga personalitet më të rëndësishme të vendit tonë, arkeologun, politikanin dhe shkencëtarin e shquar, Neritan Ceka. Duke vlerësuar profesor Cekën synoj t’i transmetoj atij detyrimin e respektin, që ne kemi dhe duhet të kemi për të gjithë ata, që ia kushtuan jetën e tyre konsolidimit dhe përparimit të institucioneve kulturore të vendit tonë por edhe atyre politike”.

“Profesor Neritani është një nga përfaqësuesit më emblematike të atij brezi, që u quajt i pasçlirimit, brez që i mbijetoi mungesave dhe padrejtësive të periudhës së diktaturës komuniste. Pavarësisht nga kushtet e vështira, ky brez diti të formohet me trashëgiminë e albanologëve më të mëdhenj të kombit, si Aleks Buda, Hasan Ceka, Eqrem Çabej, Skënder Luarasi, Selim Islami, Gani Strazimiri, e shumë të tjerë, ku do të jepte kontributin e tij të shquar në formimin e arkeologjisë shqiptare. Me veprimtarinë e profesor Cekës janë të lidhura krijimi i Parkut Arkeologjik të Bylisit dhe i kompleksit monumental antik të Selcës së Poshtme, krijimi i muzeve arkeologjike në Apolloni, Fier e Tiranë, ekspozitat ndërkombëtare arkeologjike në Hildesheim, Mynih e Romë, botime të rreth 15 librave e katalogëve mbi arkeologjinë e Shqipërisë, si dhe shumë kontribute të tjera, të vlerësuara, brenda dhe jashtë vendit”, është shprehur Presidenti.

Më tej Meta ka kujtuar edhe një histori me arkeologun e politikanin Ceka. “Dua të kujtoj me këtë rast kënaqësinë që pata, kur në fund të tetorit të vitit të kaluar, e gjeta profesor Cekën të punonte në gërmimet arkeologjike në Bylis dhe kjo vetëm një muaj pasi kishte kaluar  sëmundjen e rëndë Covid-19. Profesor Neritan Ceka është po aq i njohur edhe si politikan i një lloji të veçantë, si për kontributin e tij të vazhdueshëm në formimin e shtetit demokratik, që nga Lëvizja Demokratike e dhjetorit ‘90, por edhe nga profili i tij i karakterizuar nga serioziteti, ndershmëria dhe përkushtimi qytetar. Do të mjaftonte vetëm njëri nga aktet e tij, për t’i bërë vend në historinë, po aq epike, sa edhe të turbullt të tri dekadave të fundit”, u shpreh Meta.

Ndërsa në kujtimet e lëvizjes politike, Meta e lidhi me ngjarjet për rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës.

“Kujtoj daljen e tij tek Ura e Lanës, për të evituar përplasjen e popullit me Gardën e regjimit, apo hyrjen në mes të rebelimit të Shkollës së Bashkuar, për të kërkuar bindjen e ushtrisë ndaj proceseve demokratike. Profesor Ceka do të kujtohet përherë, në rolin e tij të rëndësishëm, si pjesëmarrës aktiv në formimin e Partisë Demokratike, si partia e parë opozitare si dhe nënkryetar i saj, si deputeti i parë i opozitës, që hyri në parlamentin e parë pluralist,  si kryetar i grupit parlamentar të PD më 1991, një nga grupet më mbresëlënëse të deputetëve, për sa i takon cilësisë dhe që na mungojnë edhe në ditët e sotme. Po ashtu, do të kujtohet si bashkëthemelues i partisë Aleanca Demokratike, si një nga lëvizjet më qytetare dhe europianiste në politikën shqiptare, si ministër i brendshëm i periudhës më të vështirë për rivendosjen e rendit dhe të qetësisë në vitet 1997-1998, por edhe si kryetar i komisionit për Rendin dhe Shërbimin Inteligjent për gati 8 vite”, theksoi Meta.

Profesor Ceka e mbylli këtë pjesë të karrierës së tij në institucione, në postin e ambasadorit në Romë, ku unë kam marrë përshtypjen personale, nga shumë personalitete të larta të shtetit italian, por do të veçoja atë që më kanë mbetur në mendje nga Presidenti i Senatit të asaj kohe, Pietro Grasso, i cili më tha: “Ju falënderoj në mënyrë të veçantë, që keni dërguar në Romë një ambasador si Profesor Neritan Ceka”.

 

Zjarr Tv Ad