Presidenti Meta pritet nga Presidenti i Rajonit të Kalabrisë, z.Roberto Occhiuto: Duhet të vendosim sa më parë linjën direkte ajrore Tiranë-Kalabri për të shumëfishuar lidhjet tona 21 prill 2022 Kalabri, Itali Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta u prit në një takim të përzemërt nga Presidenti i Rajonit të Kalabrisë, z.Roberto Occiuto.
Presidenti Meta theksoi se Arbëreshët dhe komuniteti shqiptar i pas viteve ’90-të në Itali qëndrojnë në themel të marrëdhënieve të shkëlqyera historike dhe tradicionale mes dy popujve e vendeve tona. “Ruajtja e identitetit kombëtar, integrimi i plotë i Arbëreshëve dhe i komunitetit të ri shqiptar në jetën ekonomike, sociale, kulturore, intelektuale dhe përfshirja e tyre gjithnjë e më shumë në realitetin politik në Itali, duke ruajtur karakteristika të forta të identitetit të origjinës, u japin marrëdhënieve mes nesh një dimension tjetër të veçantë”, – u shpreh Kreu i Shtetit. Pasi nënvizoi rëndësinë e nënshkrimit të një Protokolli të Përbashkët mes Shqipërisë dhe Rajonit Kalabri, sipas atij ekzistues me Rajonin e Pulias, dhe atë të propozuar me Rajonin e Siçilisë, Presidenti Meta theksoi domosdoshmërinë e vendosjes sa më parë të një linje direkte ajrore Tiranë-Kalabri, që do të kontribuojë për të shumëfishuar lidhjet mes Arbëreshëve dhe shqiptarëve, por edhe mes dy popujve tanë, duke sjellë një impakt të madh sidomos në zhvillimin e turizmit.
Kreu i Shtetit solli në vëmendje mësimin e arbërishtes në shkollë, në të gjitha trevat ku banojnë në Itali, në përputhje me aktualizimin e Ligjit italian nr. 482 “Për minorancat gjuhësore”, por dhe sipas nevojës së artikuluar nga Profesorët e Katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Cosenza. Duke e konsideruar trashëgiminë kulturore arbëreshe “Moti i Madh”, si një pasuri të çmuar të Shqipërisë dhe Italisë, Presidenti Meta theksoi se autoritetet e të dy vendeve duhet të dyfishojnë përpjekjet për përfshirjen e kësaj vlere të çmuar europiane dhe botërore në UNESCO.
Gjithashtu, Kryetari i Shtetit vlerësoi avokatinë e pashembullt të Italisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, si dhe ndihmesën bujare të gjithanshme të dhënë për zhvillimin dhe demokratizimin e vendit tonë.