Presidenti Ilir Meta ndodhet në Kosovë prej pasdites së të mërkurës, ku po zhvillon disa takime zyrtare me liderët atje, në mbyllje të mandatit të tij. Sot, ai është takuar me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe ka vlerësuar përparimin e Kosovës.
“Shqipëria duhet të marrë shembull nga ushtrimi i demokracisë në Kosovë, në veçanti se si llogaridhënia qeverisëse sigurohet përmes institucionit më jetik të demokracisë përfaqësuese, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, shkruan Meta dnër të tjera.
Kujtojmë se, nesër Ilir Meta lirohet nga detyra si President i Republikës dhe të hënën detyrën e merr presidenti i zgjedhur Bajram Begaj.
Shënimi i plotë i Presidentit Meta:
Një takim vëllazëror në Prishtinë me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Kënaqësi të ndaja vlerësimet për përparimin e gjithëanshëm të Kosovës, që gjithmonë e më shumë po konsolidohet si faktor paqeje, sigurie, stabiliteti, demokratizimi dhe europianizmi në rajon.
Kosova ka hedhur themele të forta e të qëndrueshme të shtetndërtimit, duke përqafuar vlerat dhe parimet më të larta demokratike, respektin për liritë, të drejtat dhe dinjitetin njerëzor, mbrojtjen më sipërore të pakicave, e përkushtuar për funksionimin e demokracisë parlamentare, që respekton parimet e kontrollit dhe balancës së pushteteve, që synon sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
Shqipëria duhet të marrë shembull nga ushtrimi i demokracisë në Kosovë, në veçanti se si llogaridhënia qeverisëse sigurohet përmes institucionit më jetik të demokracisë përfaqësuese, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Me rëndësi për forcimin e gjithëanshëm të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve tona, konkretizimi me nisma ligjore të marrëveshjeve ndërqeveritare. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një domosdoshmëri, që duhet të ndodhë sa më parë.