Presidenti Ilir Meta njofton se është takuar në Romë me Drejtorin e Përgjithshëm të OBSH, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, dhe e ka njohur atë me situatën e pandemisë në Shqipëri.
“E informova lidhur me pasojat e rënda të pandemisë në vendin tonë, veçanërisht për shëndetin dhe jetët e qytetarëve, për ndikimet thellësisht negative në ekonominë shqiptare, si dhe për hapat, që po ndiqen, për tejkalimin sa më parë të pasojave”, shkruan Meta ndër të tjera, ndërsa shton se Ghebreyesus e ka njohur me konkluzionet thelbësore të Samitit të G20.
Shkruan Presidenti Meta:
Një takim i ngrohtë në Romë me Drejtorin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Më njohu me konkluzionet thelbësore të Samitit të G20, që në fokus kryesor kishte pandeminë globale dhe rimëkëmbjen ekonomike.
E informova lidhur me pasojat e rënda të pandemisë në vendin tonë, veçanërisht për shëndetin dhe jetët e qytetarëve, për ndikimet thellësisht negative në ekonominë shqiptare, si dhe për hapat, që po ndiqen, për tejkalimin sa më parë të pasojave.
Shpreha interesin për një vëmendje më të madhe dhe mbështetje konkrete për Shqipërinë nga OBSH, kryesisht për sistemin tonë shëndetësor, për të bërë gjithçka duhet për mbrojtjen efikase të jetës dhe shëndetit të qytetarëve shqiptarë.