Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi sot Qendrën Sociale për pensionistët të Kryqit të Kuq Shqiptar në Tiranë me rastin e Festave të Fundvitit, ku vuri në dukje problemet e shumta me të cilat përballen sot qytetarët shqiptarë.
Në fjalën e tij, Presidenti Meta veçoi si mjaft problematike, çështjet e rrogave dhe pensioneve si dhe shpenzimeve të domosdoshme për t’i përballuar këto probleme.
“Emigracioni, ashtu sikurse ka pasur aspektet e veta pozitive në fillim, tashmë është kthyer në një problem shumë të madh. Tani jemi të ndërgjegjshëm edhe për problemet e mëdha të vetmisë, me të cilat ndeshen shumë familjarë e prindër. Kemi edhe problemet e tjera që kanë të bëjnë me përballimin e pensioneve, të skemës së pensioneve dhe rritjen e tyre në të ardhmen, që janë probleme objektive ndaj të cilave duhet të tregojmë më shumë vëmendje.” u shpreh Meta
Por duke u ndalur më tek tek të rinjtë dhe emigrimin e tyre për në vendet e BE-së, kreu i shtetit nënvizoi përfshirjen e të një numri të madh të rinjsh në trafikun e drogës, konkretisht kanabisit.
Sipas Metës, sot nëpër burgjet e Europës janë një numër i lartë të rinjsh të dënuar për trafik kanabisi.
Në këë kuadër, ai apeloi për një kthesë në këtë drejtim, ku brezi i ri të edukohet me ndjenjën e punës dhe të profesionit.
“Ne të gjithë duhet të tregojmë më shumë mundësi, jo vetëm për të përfituar nga përvojat dhe aftësitë tuaja në të kaluarën, por edhe t’i investojmë këto përvoja për ta edukuar më mirë brezin e ri, me ndjenjën e punës, të ndershmërisë, të korrektësisë, të bërjes së punës me dinjitet dhe përgjegjshmëri, e jo të gjetjes së rrugëve të lehta në jetë, të cilat sjellin pastaj një kosto shumë të madhe për të rinjtë vetë, për familjet e tyre, por edhe për të gjithë shoqërinë. Vetëm po të kemi parasysh numrin e të rinjve që janë marrë me kanabis dhe janë sot nëpër burgje në Europë, do të kuptojmë se sa i rëndësishëm është edukimi i të rinjve, brumosja e tyre me ndjenjën e punës, të marrjes së një profesioni të denjë, aq më tepër të profesioneve që deri dje mund të dukeshin si jo shumë të preferuara, por që janë nga profesionet më të nderuara për të ndërtuar një jetë me të ardhura shumë të mira dhe dinjitoze, sepse profesionistët mungojnë dhe ata kërkohen gjithnjë e më tepër në tregun e punës.” tha ai
Ndër të tjera, Presidenti i Republikës uroi festat e fundvitit, duke theksuar se shqiptarët meritojnë të jenë të bashkuar në këto ditë festive.