Probleme me borxhin që u mori prindërve!/KPK merr vendimin për gjyqtaren e Apelit

0
54
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit Shkodër, Vojsava Osmanaj është konfirmuar në detyrë, në një vendim që është dhënë pak minuta më parë në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupi gjykues që kreu procesin e rivlerësimit për gjyqtaren Vojsava Osmanaj përbëhej nga Suela Zhegu kryesuese, Lulzim Hamitaj relator dhe Genta Tafa Bungo anëtare.

Gjyqtarja Osmanaj ka filluar punë në vitin 2007 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë. Në vitet 2013-2016, ajo ka punuar si inspektore pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe më pas është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Shkodrës.

Lidhur me pasurinë, Hamitaj evidentoi mungesë të burimeve financiare të prindërve të Osmanajt për një pjesë të vogël të një huaje në vlerën totale 1 milionë lekë që i kanë dhënë të bijës për blerjen e një apartamenti – si dhe të bashkëshortit për blerjen e një autoveturë para bashkëjetesës së tyre.

Cfarë u konstatua në seancën dëgjimore

Në vitin 2012, gjyqtarja Osmanaj ka nënshkruar një akt-marrëveshje për përfitimin e një apartamenti 78.5 m2 në Pogradec kundrejt vlerës 3 milionë lekë. Hamitaj shpjegoi se nga verifikimet e KPK ka rezultuar se subjekti ishte bashkëpronare në truallin ku është ndërtuar pallati dhe se ishte dakortësuar me investitorët që ta përfitonte banesën kundrejt vlerës 3 milionë lekë që, do të paguhej në dy këste – i pari 1.1 milion lekë në nënshkrimin e aktit të marrëveshjes dhe shumën 1.9 milion lekë kur të merrej në dorëzim pasuria.

Subjekti ka deklaruar si burim të pagesës së këstit të parë huanë në shumën 1 milion lekë të marrë nga prindërit. Hamitaj tha se prej analizës financiare ka rezultuar se prindërit kanë qenë në pamundësi financiare për dhënien e huasë 1 milion lekë, për një vlerë 187 mijë lekë.

Gjatë seancës dëgjimore, gjyqtarja Osmanaj deklaroi se prindërit kishin patur të ardhura të mjaftueshme për vlerën e dhënë hua. Ajo tha se kishte depozituar një akt-ekspertimi kontabël lidhur me të ardhurat e përfituara nga prindërit e saj nga një aktivitet privat. Osmanaj shpjegoi se kishte vërtetuar që prindërit kishin administruar një aktivitet bar-kafe, që e kishin nisur prej vitit 2000 dhe kërkoi të përfshiheshin në analizë të ardhurat minimale të mundshme të konkluduara bazuar në dokumentacionin e siguruar prej saj për pagesën e tatimeve gjatë periudhës 2005-2008.

Për pagesën e këstit të dytë të apartamentit në vlerën 1.9 milionë lekë, Osmanaj ka deklaruar si burim krijimi një kredi në po këtë vlerë. Hamitaj pohoi se nga verifikimet kishte rezultuar se kredia ishte disbursuar disa ditë pas nënshkrimit të kontratës së shit-blerjes ku shënohej se ishte shlyer kësti i dytë. Ai shtoi se ishte konstatuar se vlera e përfituar nga kredia ishte depozituar më pas nga gjyqtarja Osmanaj në llogarinë e shoqërisë ndërtuese. Sipas Hamitajt, Osmanaj kishte shpjeguar se kredia ishte disbursuar pak ditë më vonë nga nënshkrimi i kontratës së shi-blerjes, pasi banka kishte si kusht që të zotëronte aktin e hipotekimit të pronës si garanci.

“Subjekti ka deklaruar rregullisht shlyerjen e kredisë dhe detyrimin e mbetur”, pohoi Hamitaj.

Komisioni nuk konstatoi probleme lidhur me blerjen e një autoveture në vitin 2012 për vlerën 1000 euro dhe shitjen në vitin 2017 në shumën 1400 euro. Gjithashtu, nuk u evidentuan probleme për një gjendje cash në shumën 4000 euro të krijuar në vitin 2014 dhe për shumat në dy llogari rrjedhëse në vlerën totale 1 milion e 35 mijë lekë.

Hamitaj tha se Osmanaj kishte provuar burimin e dy vlerave të dhuruara nga vëllai dhe motra në vitin 2007, në shumën totale 4000 euro. Sipas Komisionit, subjekti ka depozituar dokumentacion ligjor për të ardhurat e siguruara nga puna e motrës dhe e vëllait në emigracion, të cilët kanë rezultuar se kishin pasur mundësi kursimi vlera disa herë më të mëdha nga ato që i kanë dhuruar gjyqtares Osmanaj.

KPK konstaton pamundësi financiare të bashkëshortit të gjyqtares Osmanaj për blerjen e një autoveture tip Benz në vitin 2017 kundrejt vlerës 8700 euro. Komisioni ka verifikuar gjithashtu edhe një banesë dhe truall në pronësi të vjehrrit të subjektit. Hamitaj tha se nuk kanë rezultuar probleme për këtë të fundit, pasi është blerë shumë kohë para fillimit të bashkëjetesës me bashkëshortin.

Gjyqtarja Osmanaj kërkoi gjatë seancës dëgjimore që rivlerësimi të mos shtrihej edhe në këto dy pasuri, pasi sipas saj ishin krijuar para nisjes së bashkëjetesës me bashkëshortin. E pyetur nga Hamitaj nëse ajo kishte fituar ndonjë të drejtë pronësie apo përdorimi për këto dy pasuri të bashkëshortit dhe familjarëve të tij, Osmanaj shpjegoi se kishte përdorur vetëm autoveturën tip Benz, por pas fillimit të bashkëjetesës.

Osmanaj u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin. Hamitaj tha se janë evidentuar vetëm dy gjetje të Komisionit bazuar në dy prej 19 denoncimeve të kryera nga publiku pranë KPK. Ai shtoi se Osmanaj kishte dhënë shpjegime për këto gjetje të cilat do të vlerësohen para vendimmarrjes përfundimtare.

Lidhur me denoncimin e pare, gjyqtarja Osmanaj theksoi se nuk qëndronte pretendimi se nuk ishte kryer një proces i rregullt ligjor në vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit Shkodër për përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor. Ajo shpjegoi se bazuar në Kodin e Procedurës Penale të mëparshëm, Apeli kishte mundësi të shqyrtonte edhe vendimet e pafajësisë.

Osmanaj u ndal edhe në denoncimin e kryer nga një avokat që pretendonte se trupi gjykues ky bënte pjesë edhe subjekti i rivlerësimit, nuk kishin konsideruar një raport mjekësor të dorëzuar prej tij. Gjyqtarja Osmanaj deklaroi se avokati në fjalë ishte zëvendësuar nga gjykata para se të dorëzonte raportin mjekësor, për shkak të mosjustifikimit të paraqitjes së tij në disa seanca.

Sipas Osmanajt, për të kryer një gjykim të drejtë për të gjitha palët, pasi avokati i zgjedhur prej të pandehurit nuk paraqitej në seanca dhe nuk kishte dorëzuar ndonjë dokumentacion ligjor justifikues, me vendim të ndërmjetëm ishte kryer zëvendësimi me një avokat kryesisht. Ajo tha se avokati i zgjedhur nga i pandehuri e kishte dorëzuar raportin mjekësor gjatë një seance kur ai kishte qenë i zëvendësuar me avokatin kryesisht dhe se njoftimi i tij kryhej me qëllim që të pandehurit t’i jepej e drejta për t’u mbrojtur me përfaqësuesin ligjor që preferonte.

 

Zjarr Tv Ad