“Procesi zgjedhor nuk ka përfunduar ende”, Robert Benjamin për VOA: Pretendimet për shkelje të hetohen me shpejtësi

0
53
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Drejtori për Evropën Qendrore dhe Lindore në Institutik Demokratik Kombëtar në Shtetet e Bashkuara, Robert Benjamin tha se pretendimet dhe kontestimet duhet të analizohen plotësisht, që votuesit të jenë të sigurt se zëri i tyre u dëgjua.

Në një bisedë me kolegen Keida Kostreci, zoti Benjamin tha se Shqipëria ka një shans për të krijuar një konsensus të gjerë për zgjidhjen e problmeve të vendit.

Zëri i Amerikës: Zoti Benjamin, cili është mendimi juaj për procesin e zgjedhjeve të fundit në Shqipëri?

Robert Benjamin: Është e rëndësishme të theksohet që në fillim se procesi zgjedhor nuk ka përfunduar ende. Kështu, ndërsa ka përfundime paraprake deri më sot, një vlerësim i plotë i procesit zgjedhor do të mund të bëhet vetëm kur procesi të ketë përfunduar.

Megjithatë, disa nga deklaratat paraprake që kanë dalë nga ODIHR dhe KRIIK, një organizëm i pavarur shqiptar për vëzhgimin e zgjedhjeve, kanë bërë disa vlerësime pozitive në lidhje me procesin, veçanërisht për administrimin e zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pavarësisht nga koha e shkurtër në dispozicion pas ndryshimeve në procedurën e zgjedhjeve.

Por njëkohësisht kemi parë dhe vëzhguesit kanë raportuar dhe nënvizuar probleme duke folur për shkelje të ngjashme me ato të cikleve të mëparshme zgjedhore.

U referohem pretendimeve për blerje votash, frikësim votuesish dhe fatkeqësisht episode lokale të dhunës partiake, mbulim të pabalancuar nga mediat dhe përdorim të diskutueshëm në mos të paligjshëm të burimeve publike për qëllime partiake fushate.

Është me të vërtetë e rëndësishme që rastet e pretendimeve për shkelje të hetohen plotësisht dhe kur ka prova të besueshme, ato duhet të ndiqen penalisht.

Zëri i Amerikës: Si dikush që ka ndjekur edhe zgjedhjet e kaluara, si do ta vlerësonit këtë proces në krahasim me zgjedhjet e kaluara në Shqipëri?

Robert Benjamin: Mund të themi që ciklet e fundit të zgjedhjeve në Shqipëri janë shoqëruar nga një shkallë tensioni politik apo partiak mjaft të dukshëm.

Unë mendoj se kjo fushatë elektorale pa dyshim u shoqërua me një tension të madh partiak. Do të thoja që ishte e ashpër në retorikë, por pa shumë substancë.

Është e rëndësishme që partitë politike t’u drejtohen jo vetëm mbështetësve të partisë së tyre, por gjithashtu të zgjerojnë apelin e tyre tek një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare që nuk i takon domosdoshmërisht një partie, por sheh se cila është oferta më e mirë për sa i përket programit të partisë politike që plotëson interesat e tyre.

Zëri i Amerikës: Partia Demokratike nuk e ka njohur shprehimisht rezultatin e zgjedhjeve dhe kryetari i saj Lulzim Basha po flet për një “masakër elektorale” dhe deformim të rezultatit për shkak të praktikave të qeverisë dhe Partisë Socialiste. Si e shihni këtë pozicion të partisë kryesore të opozitës?

Robert Benjamin: Mendoj se duhet të shihet në kontekstin e faktit që ende nuk ka mbaruar procesi zgjedhor. Nëse partitë kanë kundërshtime për mënyrën se si është kryer procesi i votimit, se si ka funksionuar llogaritja e votave, tani është koha të mbledhin prova dhe t’i paraqesin ato dhe të përdorin mekanizmat ligjorë të cilat duhet të japin vendimin për këto çështje.

Këto mekanizma ligjorë duhet të punojnë me transparencë për t’u siguruar që ankesat dhe mosmarrëveshjet të zgjidhen në përputhje me ligjin dhe në përputhje me interest e votuesve. Është shumë e qartë që partitë politike si Partia Demokratike janë të interesuara që të ndjekin procesin e zgjidhjes së kontestimeve në mënyrë të plotë dhe unë besoj se zoti Basha e ka bërë të qartë synimin e tij për të ndjekur ato mekanizma ligjorë.

Dhe përsëris që kjo duhet të bëhet me shpejtësi dhe transparencë.

Nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme që udhëheqësit politikë ta përdorin zërin e tyre në mënyrë konstruktive dhe të shmangin atë lloj retorike që mund të entuziazmojë përkrahësit e vet, por që mban të ngritur tensionin që duhet të zbutet pas zgjedhjeve.

Zëri i Amerikës: Është hera e parë që pas rënies së komunizmit që një parti në Shqipëri fiton një mandat të tretë.

Nga ana tjetër, janë shprehur vazhdimisht shqetësime në raportet ndërkombëtare për korrupsionin, reformat, hapat prapa në proceset demokratike, probleme me mediat. Si mendoni se mund të përmirësohet gjendja për këto probleme që kanë penguar deri tani integrimin e Shqipërisë?

Robert Benjamin: Këto probleme kanë qenë në qendër të vëmendjes gjatë gjithë tranzicionit të demokracisë së Shqipërisë.

Ne e dimë që Bashkimi Evropian po e sheh nga afër zhvillimin e këtyre zgjedhjeve si një sinjal lidhur me përparimin e Shqipërisë drejt demokracisë dhe do ta përdorë këtë vlerësim për të përcaktuar se si dhe kur të merren hapat e mëtejshëm për negociatat zyrtare për anëtarësim.

Mendoj se ky është një shans pikërisht për qeverinë dhe shoqërinë civile dhe sektorin privat për të vendosur ura, për të krijuar dialog dhe për të arritur konsensus mbi politikën publike si për shembull për sistemin e financave publike, për prokurimin publik, për qasjen e drejtë në media, qasje dhe trajtim të drejtë nga sistemi i gjykatave dhe agjencitë e tjera të pavarura.

Kthimi në parlament i të gjitha partive të mëdha do t’i shërbejë jashtëzakonisht këtij procesi.

Zëri i Amerikës: Si përfaqësues i NDI, çfarë mesazhi do t’i dërgonit kryeministrit dhe partisë së tij, dhe Partisë Demokratike dhe udhëheqësit të saj?

Robert Benjamin: Do të thosha se është koha për të qeverisur. Është një kohë për t’u bashkuar në institucionet e përbashkëta të qeverisjes si parlamenti, për të qenë aktivë dhe për të punuar intensivisht për popullin e Shqipërisë për të zgjidhur këto çështje.

Do te doja që është me të vërtetë e rëndësishme të përfshihen partnerë të shoqërisë civile dhe më në fund të përqendrohen në politikat publike dhe mënyrat për të zgjidhur problemet me të cilat përballen njerëzit e Shqipërisë.

Unë e di që të dy udhëheqësit në të dyja partitë e dinë këtë, dhe e di se duan të fillojnë të punojnë për këtë. Dhe ne, NDI, nga ana jonë, jemi shumë të kënaqur që mund të përkrahim partitë politike, parlamentin dhe shoqërinë civile. Dhe jemi shumë optimistë për të ardhmen./VOA

Zjarr Tv Ad This is a sample article. ...