Janë zbardhur pjesë nga progres-raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë. Në progres-raport shprehen shqetësime në funksionimin e shtetit të së drejtës. ‘Probleme me korrupsionin në nivelet e larta dhe lirinë e shprehjes’, thuhet në raport. Në këtë progres raport ka zënë një pjesë të konsiderueshme, analiza e zgjedhjeve të 25 prillit dhe përdorimi që partia në pushtet i bëri shtetit. Për zgjedhjet e 25 prillit, progres-raporti ngre shqetësime për keqpërdorimin e të dhënave personale, në lidhje me patronazhistët.
‘Rekomandimet nuk janë zbatuar. Korrupsioni, një çështje serioze, i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit’, thuhet në raport. ‘Dënimet në rastet që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë mbeten të kufizuara’, thuhet në pjesën për korrupsionin. Komisioni Europian shpreh shqetësimin për atmosferën e medias dhe lirisë së shprehjes në Shqipëri, ndërsa përmend ndalimin e dy gazetarëve në protesta që po zhvilloheshin pas eleminimit nga policia të Klodian Rashës. ‘Atmosfera e akuzave verbale, fushatave shpifëse dhe akteve të frikësimit ndaj gazetarëve, nuk është përmirësuar. Tensionet mes aktorëve politikë e gazetarëve u rritën gjatë pandemisë, në kontekstin e zgjedhjeve parlamentare.
Në dhjetor 2020, policia ushtroi forcë të tepruar të pajustifikuar dhe arrestoi dy gazetarë të cilët po mbulonin protestat që shpërthyen në Tiranë, pasi humbi jetën 25-vjeçari, shkaku erdhi nga policia’, thuhet në progres raport. Gjithashtu, përmendet edhe rasti i patronazhistëve dhe vendimi i Gjykatës së Strasburgut. ‘Në prill 2021, GJEDNJ lëshoi një vendim të përkohshëm që impononte një masë sigurie. Masa e sigurisë për të parandaluar konfiskimin e serverëve e të dhënave kompjuterike të një media online’, vazhdon progres raporti Edhe marrja nën kontroll e AMA-s nga qeveria është shqetësim tjetër i Komisionit Europian ‘Shqetësime mbi emërimin në krye të AMA-s të një drejtuesi politik dhe për ngritjen e Agjencisë së Informacionit.
E rëndësishme të sigurohet qasje e drejtpërdrejtë dhe transparente e mediave në institucionet qeveritare’, thuhet në progres-raport. Pandemia dhe kriza ekonomike është pjesë tjetër e këtij progres raporti. ‘Pandemia e Covid-19 ka dobësuar më tej stabilitetin financiar të shoqërisë civile Komisioni Europian: Ka ende shumë punë për të bërë në konsolidimin e institucioneve të reja të drejtësisë’, thuhet në progres-raportin e bërë publik.