Projekti 205 mln euro për zgjerimin e Tiranë-Durrës fut në sherr qeverinë

0
34
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Zgjerimi i rrugës Tiranë Durrës ka shkaktuar një përplasje të fortë brenda qeverisë mes ministrisë së Infrastrukturës dhe asaj të Financave.

Thuajse çdo ditë ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku dhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Evis Berberi po deklarojnë publikisht në media dhe komisionet parlamentare, ku diskutohet buxheti, se zgjerimi i rrugës do të nisë vitin e ardhshëm.

Këtu është dhe ngërçi që ka futur në sherr ministrinë e Financave me atë të Infrastrukturës për zgjerimin e rrugës Tiranë-Durrës.

Ministria e Financave ende nuk ka bërë oponencën e jashtme të studimit të fizibilitetit të rrugës Tiranë-Durrës dhe në këto kushte investimi nuk mund të buxhetohet. Ndërkohë ministria e Infrastrukturës kërkon me këmbëngulje që zgjerimi i rrugës të fillojë vitin e ardhshëm.

Lufta për anashkalimin e VKM-së

Për të shmangur kufizimin e vendosur nga VKM që rregullon menaxhimin e investimeve publike, ministria e Infrastrukturës po tenton dy rrugë. Së pari, atë të copëzimit të rrugës me lote.

Plani i MIE parashikon tenderimin e dy loteve të para për vitin e ardhshëm nga Sheshi Shqiponja deri në afërsi të Kasharit me vlerë totale 4 miliardë lekë. Rrjedhimisht ministria e Infrastrukturës kërkon të buxhetojë të paktën 800 milionë lekë ose rreth 7.6 milionë euro për vitin e ardhshëm, sipas kushtëzimit të vendosur në ligj që duhet të buxhetohet të paktën 20 për qind e vlerës së investimeve në vitin e parë.

Por VKM sanksionon 20 për qind të vlerës së plotë të projektit, dmth 20 për qind e 205 milionë eurove, që do të thotë se rruga nuk mund të nisë pa u akorduar të paktën 41 milionë euro që në vitin e parë.

Ndërkohë mënyra e dytë se si ministria e Infrastrukturës po tendon të anashkalojë kufizimin ligjor që e bën të pamundur buxhetimin e rrugës është ajo e ndryshimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave duke rrëzuar pikën që kërkon oponencën e jashtme për projektet me vlerë mbi 95 milionë euro.

Belinda Balluku është duke luftuar fortë për të rrëzuar kufizimet siç e tregojnë deklaratat e përditshme të saj për nisjen e rrugës Tiranë-Durrës vitin tjetër. Por deri më tani këto deklarata mbeten thjesht dëshira, pasi në buxhet nuk ka asnjë qindarkë të akorduar për këtë rrugë.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse ministrja më e fuqishme e qeverisë do të arrijë të rrëzojë kështjellën e ligjit, që e bën të pamundur nisjen e rrugës Tiranë-Durrës vitin tjetër apo deklaratat e saj do të mbeten thjesht një përpjekje e dështuar presioni mbi ministrinë e Financave dhe një dëshirë e parealizuar./kapitali/

Zjarr Tv Ad