Kreu i Kadastrës Shqiptare, Artan Lame ka komentuar miratimin e projektligjit për dekoratat ditën e djeshme nga deputetët në Kuvendin e Shqipërisë.
Përmes një postimi në Facebook, Lame shkruan se demokratë as dje nuk u bënë dot të djathtë, duke votuar kundër këtij projektligji. Opozita akuzoi se po i hiqen kompetencat Presidentit në mënyrë që PS, sipas tyre, t’i përdorë “për qokat e veta”.
Postimi i plotë i Lames:
PUN’ PRINCASH
Vite të shkuara bëja një ceremoni me miq e shokë për promovimin e Librit “Princi i Shqiptarëve”, që ja kushtoja memories së monarkut të parë të shqiptarëve, Princ Vidit.
Kam një mik të vjetër, Fulin, që ka një të mirë që është koleksionist i mbaruar, por ka edhe një huq, që është demokrat i thekur. Mbërrin Fuli në ceremoni duke turfulluar dhe më shprazet në atë shkodrançen e vet: “Hej zot, sa t’marum jena na demokrat’t. Edhe pun’t e princave na i bani ju socialistat!”.
Vite më pas, domethënë dje, në mbrëmje vonë, Kuvendi miratoi Ligjin e ri “Për Dekoratat në RSH”. Prapë edhe këtë ligj e miratuan vetëm “socialistat”. Megjithëse siç i ftoi Elisa, citoj: “Elemente të tilla shtet-formuese dhe shtet-mbajtëse, konsiderohen si prerogativa që elaborohen nga të djathtat politike”.
Edhe Rama u përpoq ti sillte tek sqima e kohës së Mbretit, me sqarimet së gjati nëpër ligjet e kontinentit, e së gjëri nëpër historinë e vëndit, deri edhe tek ajo puna e termit “Komandar”.
Të djathtët prapë nuk u bënë dot të djathtë. As atëhere kur bënim libra për Princin e Shqiptarëve të vitit 1914; e as dje kur bëmë ligje sipas atyre të Mbretit të Shqiptarëve të vitit 1928.
Dhe votuan kundër!