Prokuror Arian Ndoja të hetojë Edi Ramën, pastaj shkarkojeni!

0
57
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Basir Çollaku

Shkarkojeni Arian Ndojën si prokuror, pasi e keni ndarë mendjen, të dashur kontrollorë partiakë të drejtësisë! Nuk ka asnjë surprizë në atë çfarë pritet të ndodhë, sepse qeveria e ka mbledhur top hesapin dhe lista Rama-Xhafa e ka përfshirë në shenjestër për ta larguar prokurorin në shkallën e parë të rivlerësimit. Kaq del e tepron në këtë proces-veting 800 milionë eurosh të degraduar, si projekt dështak, me një kosto të madhe.

Ndoja është një nga prokurorët magjistratë më profesionistë që ka vendi. Është shkarkuar më herët nga ish-prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku, por fitoi të drejtën e rikthimit në detyrë, nëpërmjet gjykatës. Natyrisht prokurori në seancën e vetingut ka ofruar provat e tij për mbrojtje, duke mos fshehur asgjë për historinë e pronave, ku habia e ndërkombëtarëve dhe vendorëve, u pataksën më fort. Ai vetëpërballet me përgjegjësitë e tij.

Por, në këtë gjyq ka element me rëndësi për t’u hetuar.

Tre vjet më parë Edi Rama akuzoi publikisht në parlament prokurorin e Durrësit, Arian Ndojën, duke e quajtur pjesë të “llumit të drejtësisë” të zhytur deri në fyt dhe që e dinë shumë mirë që s’kanë asnjë shans që ta kalojnë vetingun, po e shfrytëzojnë pushtetin që ju jep ligji me moton “të kapim ça të kapim”. Por, përse alarmohet kryeministri? Ku ka shkelur Ariani? Diçka e rëndë po ndodh…dhe në të vërtetë pak kohë më vonë kërciti arma.

Pas sulmit qeveritar, Arian Ndoja u sulmua me armë në një atentat ku mbeti i vrarë shoferi i tij, Andi Maloku në autostradën Tiranë-Durrës, ndërsa ai dhe një person tjetër, Aleksandër Laho, arritën të mbijetojnë. Në qeli për këtë atentat është Redjan Rraja, nipi i deputetit të PS, Rrahman Rraja, deputeti i Edi Ramës. Rastësitë ngatërrojnë shumë hamendësime. Pyetjet janë gjithnjë të nevojshme, për të shtyrë mendimin drejt të vërtetave, thellësisht mbuluar.

A ka interesa Edi Rama dhe mëkëmbësi i tij, Erion Braçe, në dosjet e hetuara nga Arian Ndoja? A kanë qenë këto dosje pronash, pasi në gjyqin e drejtuesit të kadastrës së Durrësit, Liridon Pulës, zv/kryeministri mori pjesë në sallën e gjyqit, duke demonstruar presion qeveritar paligjshmërisht në një seancë gjyqësore? Përse kur seanca mbaroi, Braçe mbrojti të arrestuarin dhe lëshoi akuza të forta për prokurorin Ndoja, për “presione dhe shantazh kriminal mbi punonjësin që ishte me pranga në sallën e gjyqit”?

Një detaj me rëndësi për hetimin, publikun, të vërtetën, është deklarimi në seancën e rivlerësimit të prokurorit Ndoja. Ai u shpreh se kryeministri Rama ka kontakte të papërshtatshme. Për këtë ai kërkoi që të kontrolloheshin tabulatet telefonike të Edi Ramës. Saktësisht ai deklaroi se, “Meqë tabulatet e mia telefonike i kanë marrë me telefonata, me kontakte, me subjekte politike, të bëjnë të njëjtën gjë edhe për një subjekt që kam pasur nën hetim dhe ka patur komunikim të drejtpërdrejtë me kryeministrin”.

Deklarimi i Ndojës është natyrisht episod i një dosje hetimore. Eshtë tekst nga përgjimet e një subjekti në hetim, përgjim me vendim gjykate. Ndonëse prokurori nuk sqaroi më tej, nëse personi në hetim ishte vrasës, trafikant droge apo grabitës pronash, biseda me të hetuarin, më pas të pendehur, gjendet aty, dhe hetimi nuk ka mbërritur lart.

Meraku i paligjshëm i Erion Braçes, me sjelljen ekstreme në gjyq, ishte për të mbrojtur shefin e kadastrës apo punët e tij, për të cilat shqetësoheshin përfituesit? A ka Edi Rama personalisht, apo familjarët e tij interesa pronash në Durrës dhe dosjet e hetuara nga Arian Ndoja. Kur kadastra e Durrësit ra thuajse e gjitha në qeli, nga kërkesë-arrestet e prokurorit, janë zbuluar tërmetet e tokave në bregdet. A kanë ortakët e Edi Ramës vendas dhe të huaj, interesa të mëdha financiare me investme pronash në Durrës dhe sërish Ndoja del gabimisht në udhëkryq?

A kanë oligarkë të tjerë të lidhur me Ramën, mes tyre edhe bosë mediesh kombëtare dhe lokale interesa të mëdha investimesh në prona në bregdet në Durrës, të cilat mbivendosen e vendosen sipas regjisë qeveritare, për të mbyllur investimet me porosi dhe sërish Ndoja nuk ua ka shkuar rixhanë? A janë dosje të vjetra me qindra hektarë tokë në Durrës, të cilat kanë edhe disa vrasje brenda, nga gjyqtari Konomi e më pas që trazojnë shumë mëkate e njerëz, me shumë pushtet dhe këtu prokurori është sërish ai gjembi i panevojshëm?

Prokuroria e Posaçme, pas deklarimit publik të Arian Ndojës në seancë në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit duhej të kishte kërkuar hetime të thelluara. Ndërkombëtarët në atë moment kanë mbyllur veshët nga sikleti se doli emri i të madhit, mirëbërësit të tyre kryeministër. Arianin e shkarkojnë vartësit e Ramës, por lëreni të hetojë Edi Ramën, me telefonin e tij, ku bandidtët kanë bërë serf gjatë dhe fort me dallgët e pasurisë dhe krimit?!

 

Dhe ai e qan hetimin, si rrallëkush. Mos dyshoni!

Zjarr Tv Ad