Prokurori Arben Kraja kalon me sukses Vetingun

0
28
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Arben Kraja ditën e sotme ka kaluar me sukses proçesin e Vetingut.

Seanca dëgjimore u drejtua nga trupa gjykuese e përbërë nga Roland Ilia, Firdes Shuli dhe Etleda Çiftja.

Gjatë seancës dëgjimore relatorja Firdes Shuli sqaroi se, sipas raportit të dorëzuar nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, deklarimi i pasurisë nga ana e prokurorit Arben Kraja është i saktë dhe në përputhje me ligjin.

Hetimi për pasurinë:

KPK kreu megjithatë një hetim të pavarur të pasurisë, duke u fokusuar te ligjshmëria e burimeve.

Sipas relatores Shuli, Kraja zotëron një shtëpi në Shkodër me sipërfaqe 117 m2 dhe truall 542 metra katrorë të përfituar përmes trashëgimisë. Kjo shtëpi është blerë nga prindërit e prokurorit në vitin 1956.

Kraja zotëron gjithashtu një apartament në rrugën “Qemal Stafa” në Tiranë me vlerë 56 mijë euro si dhe 16.6 për qind pjesë takuese në një sipërfaqe toke në Gjirin e Lalzit në Durrës, e blerë për 466 mijë lekë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vlerësuar se prokurori Arben Kraja kishte burime të ligjshme financiare për pronat e mësipërme. I njëjti konstatim është arritur për një makinë të blerë për 2 mijë euro nga bashkëshortja dhe një autoveturë tip Benz me vlerë 500 mijë lekë.

Prokuri Kraja ka deklaruar se ka paguar këstin e parë prej 15 mijë eurosh të një apartamenti në Gjirin e Lalzit, vlera totale e së cilës është 130 mijë euro. Sipas KPK, Kraja ka burime të ligjshme për pagesën e këstit të parë.

Relatorja Shuli tha se pas verifikimit të pasurive, për subjektin nuk janë konstatuar deklarime të pamjaftueshme, ka pasur burime të ligjshme si dhe nuk ka fshehje të pasurisë. Relatorja shtoi se “pasaktësitë kanë qenë formale dhe nuk kanë sjellë ndonjë pasojë”.

Lidhur me vlerësimin e figurës, relatorja Firdes Shuli pohoi se Kraja është cilësuar i përshtatshëm nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.

Ndërsa për kriterin e aftësive profesionale, ai është vlerësuar “shumë mirë” nga Prokuroria e Përgjithshme.

I pyetur nga Komisioni për qëndrimin e tij, prokurori Arben Kraja u shpreh se falënderon trupën gjykuese për objektivitetin dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

 

Zjarr Tv Ad