Prokuroria e Tiranës ditën e sotme vendosi sekuestro ndaj 4 llogarive bankare të shtetases kineze, Tina Deng nga Guandongu.
Tina Deng jeton në Tiranë dhe përfaqëson një kompani, ku brenda një kohe të shkurtër, asaj iu kaluan transferta të mëdha në bankë nga një llogari në Hong Kong.
Sipas Prokurorisë së Tiranës dyshohet se po ndodh një skemë pastrimi parash.
Ajo rezultonte me qëndrim të përkohshëm në Shqipëri që prej vitit 2018.
Sistemi TIMS tregon se ajo ka hyrë në vendin tonë në janar 2019 dhe nuk ka dalë më.
Gjithashtu, Prokuroria i ka bërë thirrje për ta pyetur, por 47-vjeçarja nuk është paraqitur as në polici dhe as në prokurori.
Fillimisht, shtetasja deklaroi që do të blinte shtëpi këtu, por hetimet tregojnë se kjo gjë nuk ishte e vërtetë.
Eurot i janë hedhur nga kompania “Jiageng Moldings Parts” me argumentin se do të ofronte shërbime konsulence për 5 vjet. Në kontratat për shërbim, konsultimi nuk ka asnjë datë apo të dhënë dhe për këtë arsye dyshohet që është kontratë fiktive.