Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me propozimin e PS që administrimin e zgjedhjeve ta bëjnë punonjësit e administratës publike.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, që drejton Grupin e Punës së Opozitës së Bashkuar për Reformën Zgjedhore është shprehur se Rama kërkon vetëm të tallet, e nuk ka ndërmend të bëjë reformë.
‘Edi Rama nuk ka ndërmend të bëjë një reformë zgjedhore që garanton lirinë e votës, por vetëm të tallet me OSBE/ODIHR, me Bundestagun, me shqiptarët. Ai synon të sanksionojë me ligj standardin e 30 Qershorit, ku administroi i vetëm procesin.
Këtë qëllim ka edhe propozimi i PS që administrimin e zgjedhjeve ta bëjnë punonjësit nën varësinë e Edi Ramës.
Administrata publike është e pabesueshme për të administruar një proces zgjedhor me standarde europiane. Raporti i ODIHR-it ka provuar se punonjësit e administratës janë nën presion politik, si dhe është bërë e qartë se ajo është e mbushur me militantë të Partisë Socialiste.
Përgjimet e dosjes 339 në Durrës dhe 184 në Dibër kanë sjellë fakte të pamohueshme se administrata, në kundërshtim me ligjin, është në shërbim të Edi Ramës, në përmbushje të objektivit për të vjedhur zgjedhjet.
Propozimi i Edi Ramës që zgjedhjet t’i administrojnë vartësit e Edi Ramës në shërbimin publik, do të thotë që zgjedhjet të lihen në dorë të Arben Keshit, i cili u përfshi në masakrën elektorale në Dibër, ndërsa ishte Drejtor në Ministrinë e Brendshme; në dorën e Ivo Docit, përgjegjësit të Ujësjellësit, i cili urdhërohej nga Avdylajt për të identifikuar punonjësit që votonin për PD dhe t’i kërcënonte ata me largim nga puna. Lista bëhet e gjatë me dhjetëra e qindra raste të identifikuar edhe nga OSBE/ODIHR, që provojnë se kjo është një administratë thellësisht e politizuar.
Makinacionet e Edi Ramës që bëjnë sikur depolitizojnë trupën që administron zgjedhjet, por në të vërtetë, ruajnë kontrollin e plotë të kryeministrit ne proces, janë të papranueshme. Ato janë kundër interesit publik për zgjedhje të lira e të ndershme.’