Gazetari Sami Neza ka qenë i ftuar në studion e emisionit ‘Pushteti” nga Juela Meçani në Fax News ku ka folur lidhur me situatën e krijuar në vend nga protestat e mbajtura nga qytetarët kundër rritjes së çmimeve të karburantit dhe të produkteve të shportës.
Neza: I kam ndjekur me vëmendje protestat sepse ka kohë që nuk organizoheshin. Por nuk kemi më ato protesta me energji të cilat linin gjurmët e tyre dhe përveç kësaj bënin ndryshimin. Një ndër protestat e tilla ishte ajo e armëve kimike pasi nuk zgjati shumë si protestë dhe pjesëmarrja e lartë detyroi kryeministrin të hiqte dorë nga ky proces. Një tjetër ishte edhe ajo e studentëve e cila ishte shpresëdhënëse duke menduar se të rinjtë do i jepnin fund status-quo-së së klasës politike.
Më pas ndodhi ajo që pritej që pas 4 ditësh, dikush u mundua që të ishte një lloj administratori protesta. Më pas protesta ndryshoi në qëllime administrative gjë që e zbehte atë. Protesta të tilla nuk mund të grumbullojnë shumë njerëz dhe nuk kanë shumë nerv.
Edhe kjo protestë ishte pak a shumë e tillë që jepte shenja për zhvillime të rëndësishme por nuk arriti këtë impakt dhe nuk e dha as mesazhin. Për të keqen e protestës të shtunën ku ishte numri më i madh i protestuesve, folësit kanë kërkuar që të mos kishte të pranishëm persona të partive politike.
E rëndësishme është që protesta të mos degjenerojë në dhunë. Nëse dalim në protesta për të rregulluar qeverinë atëherë diçka të tillë na duhet ta bëjmë përherë. Por nuk është ky qëllimi i protestave, qëllimi është të sjellë ndryshim.