Protesta e 11 majit, mbesin në burg 20 të arrestuar, lirohen të tjerët

0
6

Gjykata vendos arrest me burg për 20 të arrestuar të protestës së 11 majit. Ndërkohë 11 të tjerë do qëndrojnë në “arrest shtëpie”

19 janë lënë në masën ‘detyrim paraqitje’ pasi ishin nën moshën 19 vjeç.

“Nuk presim tjetër nga veglat e Edi Ramës. Kur Saimir Tahiri i organizuar për trafik droge hetohet i lirë ndërsa ata që luftojnë për zgjedhje të lira dhe të ndershme futet në punë. Ky është një gjyq politik.  Sahit Dollapin e goditën  me plumb plastik dhe e rrahën ne shkop gome, keni dëgjuar ndonjë arrestim. Fundi i Ramës është i padiskutuar”  tha Edmond Spaho.

Ne gjykate- 50 personat e arrestuar dolën sot në orën 10:00 para Gjykatës së Tiranës për vlerësimin e masës së sigurisë.

Mësohet se policia ka marrë masa për ruajtjen e ambjenteve të gjykatës dhe shmangien e incidenteve.

Protestuesit e arrestuar akuzohen  për kryerjen e veprave penale “Kundershtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimit të pronës me zjarr” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.

Ndërkohë 34 persona të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë për të njëjtën ngjarje.

Policia bëri të ditur se janë 16 efektivë të saj të cilët janë plagosur “nga goditjet, kundërshtimet dhe përdorimi i lëndëve piroteknike, sendeve të forta dhe bombave Molotov”.

Çfarë deklaroi kryeministri sot pe te arrestuarit e 11 majit?

Ne një konferencë për median, kryeministri Rama tha se ata janë në burg për faj të Lulzim Bashës, Monika Kryemadhit dhe Saliut.

Edi Rama: “Sot ka një gjyq për të arrestuarit e të shtunës, janë të gjithë njerëz të zakonshëm, njerëz të manipuluar dhe nxitur për të bërë dhunë që do ta pyesin me siguri veten: Për kë e bëra?! Kujt i shërbeva dhe çfarë fitova?!  Dhe të tjerët pas tyre do të pyesin veten për kë po shkoj të shkel ligjin, të vë zjarr, edhe të përballem me ndëshkimin që ligji jep në këto raste. Do përmirsohet jeta ime, ekonomia e shtëpisë sime, vendi ku unë jetoj? Absolutisht jo, nuk ka shans. Vetëm do të përkeqësohet pozita ime. Nga një njeri i lirë rrezikoj të jem një njeri të cilit i është hequr liria nga ligji ndërkohë që ata shkojnë dhe flenë në shtëpitë e tyre pasi mbarojnë punë me mikrofonat dhe pasi konsumojnë  të gjithë arsenalin ditor të gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes së dhunës. Është një pyetje që të gjithë duhet t’ja bëjnë vetes.” 

Të gjithë kanë të drejtë të mendojnë në mënyra të ndryshme dhe forma të ndryshme por kush shkon përtej të drejtës për të pasur mendimin dhe qëndrimin e vet dhe kërcënon lirinë dhe të drejtat e të tjerëve është i tepërt në territorin ku lëvizin njerëzit e lirë dhe pastaj e vazhdon një pjesë të jetës në territorin ku shteti mban ata që dënohen me heqje lirie. Dhe për kë?! Për Lulzim Bashën, Monika Kryemadhin, për Saliun, apo të tjerët me radhë, njerëz që nuk kanë asnjë sens të historisë, asnjë sens të së ardhmes por vetëm të gjithë energjinë negative që prodhon me furi dëshpërimi dhe verbëria, mungesë e plotë vizioni, idesh.