Protesta e opozitës së bashkuar ka gjetur pasqyrim edh në mediat ndërkombëtare. Gazeta “New York Times”, “The Associated Press” etj, kanë raportuar për zhvillimet në Tiranë.
“Mbështetësit e opozitës në Shqipëri përpiqen të pengojnë zhvillimin e seancës parlamentare. Protestuesit e opozitës shqiptare, teksa kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të parakohëshme, kanë tentuar sërish të hyjnë me forcë në parlament.” – shkruan New York Times.
“Protestuesit e udhëhequr nga Partia Demokratike përdorën tymuese, kapsolle dhe u përleshën me policinë duke u përpjekur të thyejnë kordonin, që mbron ndërtesën e parlamentit ku po mbahet seanca parlamentare e radhës. Opozita akuzon qeverinë e majtë të Partisë Socialiste të Kryeministrit Edi Rama se është i korruptuar dhe i lidhur me krimin e organizuar, të cilin qeveria e mohon. Që nga mesi i muajit shkurti, mbështetësit e opozitës janë përpjekur vazhdimisht të hyjnë në ndërtesat e parlamentit ose të qeverisë dhe policia është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe me ujë”.-citohet në artikullin e New York Times.
“Opozita protesta, tensione” është titulli agjencisë së lajmeve ANSA.
“Partia demokratike bën thirrje për dorëheqjen e Kryeministrit Socialist Rama. Tensionohet protesta e sotme nga ana e opozitës shqiptare, përpara Parlamentit ku është duke u zhvilluar protesta e radhës. Përveç fishekzjarrëve dhe bombave të tymit, grupet e protestuesve kanë provuar disa herë që të kalojnë kordonin e sigurisë në hyrjen kryesore, ku janë vendosur shumë oficerë policie. Që nga shkurti i kaluar, opozita ka zgjedhur të dalë në rrugë për të kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit socialist Edi Rama, i akuzuar për korrupsion dhe bashkëpunim me krimin e organizuar dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, pas krijimit të një qeverie transitore. Një grup deputetesh të opozitës dhanë dorëheqjen, duke hequr dorë nga mandatet e tyre parlamentare. Megjithatë, të paktën 17 prej tyre u zëvendësuan nga kandidatë të tjerë të opozitës, të cilët ishin në listat e vitit 2017.” – shkruan ANSA.
Po ashtu protesta është transmetuar ‘Live’ edhe nga Zëri i Amerikës, përmes rrjeteve sociale.