Presidenti i vendit, Ilir Meta ka reaguar për dhunën e ushtruar sot gjatë protestës së shoqërisë civile në Sheshin Skëndërbej.
Ndërsa kryeministri Rama mbante një konferencë në selinë e BE-së, me ambasadorin Soreca për Ditën e Europës në sheshin Skënderbej zhvilloheshin përplasjet. Presidenti Meta thotë se pikërisht dhuna e ushtruar ndaj aktivistëve është kremtimi më i shëmtuar i Ditës së Europës.
E drejta për të protestuar gatantohet nga Kushtetuta tha Meta edhe në kushtet e fatkeqësisë natyrore.
STATUSI I PLOTE
Dhuna ndaj aktivistëve të shoqërisë civile në Sheshin Skënderbej është e papranueshme dhe kremtimi më i shëmtuar për Ditën e Europës , që dëmton jo vetëm kontributet e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe imazhin dhe besueshmërinë e vendit tonë, në përpjekjet për t’u integruar sa më parë në Bashkimin Europian.
E drejta e protestës, që është fondamentale për vetë ekzistencën e demokracisë në çfarëdolloj rrethanash e kushtesh, edhe përgjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore, garantohet qartësisht nga Kushtetuta.
Kjo është një e drejtë themelore që duhet respektuar në çdo kohë dhe nga çdo autoritet.
ZËRI I QYTETARËVE DUHET DËGJUAR!